2018-01-21 16:00:00

Papa, murgeshave kundruese të Perusë: të jeni dashuria e Krishtit


“Të jeni dashuria e Krishtit”: këtë u kërkoi sot Papa Françesku rreth 500 murgeshave të klauzurës e të jetës kundruese, që i takoi në Shenjtëroren e Zotit të Mrekullive, Pajtor i Perusë. Vetë shenjtërorja, në qendrën historike të Limës, u është besuar motrave karmelitane, por aty ishin mbledhur për t’u lutur me Atin e Shenjtë, edhe murgesha të tjera, ardhur nga i gjithë vendi.

Shembulli i Shën Terezës së Krishtit Fëmijë

Papa ndalet para fugures së Señor de los Milagros (Zoti i Mrekullive) e pastaj, gjatë predikimit, u jep murgeshave shembullin e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, shenjtes kundruese, që e pati kuptuar se “vetëm dashuria i nxit për veprim gjymtyrët e Kishës e se, me t’u shuar ajo dashuri, apostujt nuk do të kishin kumtuar më Ungjillin, martirët nuk do ta kishin derdhur më gjakun. Kuptova – shkruan Shën Terezina në një nga letrat e saj të famshme – se dashuria përmbledh në vetvete të gjitha thirrjet, se dashuria është gjithçka, se shtrihet mbi të gjitha kohët e mbi të gjitha vendet, me një fjalë, se dashuria është e amshuar”.

Të jeni misionare të Kishës, që shërojnë shumë plagë

Shën Tereza vendosi të ishte dashuri në gjirin e Kishës, ashtu siç janë edhe sot murgeshat e klauzurës, që luten për shpëtimin e gjithë shpirtrave. Papa u njeh murgeshave një rol themelor. Ju, u thotë ai, “luteni dhe ndërhyni për shumë motra e vëllezër të burgosur, emigrantë, refugjatë e të persekutuar, për shumë familje të plagosura, për njerëzit pa punë, për të varfërit, për të sëmurët, për viktimat e shumë varësive…”, e në këtë jeni misionare të Kishës, që shërojnë shumë plagë.

Prandaj, thekson Papa, “jeta e klauzurës nuk e burgos, as e ngushton zemrën, por e zgjeron atë falë marrëdhënieve me Zotin dhe, e bën të aftë ta ndjejë në mënyrë të re dhimbjen, vuajtjen, zhgënjimin, fatkeqësinë e shumë vëllezërve, që janë viktima të ‘kulturës së hedhurinave’ të kohës sonë. Ndërhyrja për nevojtarët pranë Zotit qoftë karakteristika e lutjes suaj – u kërkon Papa murgeshave. – E kur është e mundur, ndihmojini ata, jo vetëm me lutje, por edhe përmes shërbimit konkret”.

Mos u bëni zemërngushta

Duke e lënë një çast letrën mënjanë, Papa Françesku pranon se ka edhe rregulltare “zemërngushta”, që nuk sillen si nëna dhe ankohen për çdo gjë. Këtyre “koleksionisteve të padrejtësive” u kërkon të gjejnë zgjidhje për trishtimin që i kaplon, kur nuk e lënë zemrën të marrë frymë lirisht, sepse në kuvend – u thotë – ka vend për rregulltare që e hapin zemrën dhe dinë ta mbartin kryqin, kryqin e dashurisë, që jep jetë. E Ati i Shenjtë flet edhe për thashethemet, që i ushqen djalli. Të gjitha murgeshave u kërkon të mos bëhen “terroriste”, duke folur keq e pas shpine për njerëzit dhe u kujton se është më mirë “të kafshojnë gjuhën e të heshtin.

Të jeni kumtim i dashurisë së Zotit

Papa Bergoglio, që thotë fillimisht me shaka se i dukej sikur murgeshat kishin shfrytëzuar rastin e takimit me të për të bërë një shëtitje, u kërkon edhe të luten për shumë ndjete të rëndësishme. U thotë të luten për unitetin në Kishën peruviane e në Kishën e gjithëmbarshme. U kërkon të bëjnë ç’është e mundur për të profetizuar se ky bashkim është i mundur. Me jetën e tyre, pohon, murgeshat duhet të bëhen kumtim i dashurisë së Zotit e ta dëshmojnë atë. “Kisha ka nevojë për ju”, ngre zërin Papa, duke kërkuar lutje për gjithë anëtarët e saj, e edhe për vete.








All the contents on this site are copyrighted ©.