2018-01-19 12:17:00

Takimi i Françeskut me dy familjarë të viktimave të diktaturës së Pinoçetit


Në përfundim të meshës së djeshme në Campus Lobito të Iquique-s - ngjarja e fundit e vizitës apostolike në Kili - Papa Françesku shkoi në Shtëpinë për të moshuar, në shenjtëroren Zoja e Lurdës, që të drekonte me delegacionin papnor. Por, para drekës, një takim tjetër domethënës: në kishën pranë, e prisnin 10 të sëmurë dhe 2 familjarë të viktimave të diktaturës së Pinoçetit, në vitet ’70. Ata i dorëzuan një letër.

Shpresa për të gjetur të burgosurit “desaparecidos”

         “Papa Françesku, në duart tuaja vë shpresën për të gjetur të burgosurit tanë ‘desaparecidos’”, i tha Atit të Shenjtë njëri prej tyre, Hector Marin Rosset, vëllai i të cilit, Jorge, u kap më 28 shtator 1973 dhe u ekzekutua po atë ditë në Iquique. Ishte vetëm 19 vjeç. Rosset është president i Shoqatës së familjarëve të viktimave të regjimit dhe të të burgosurve të zhdukur në Iquique e në Pisagua.

         Sipas Sallës së Shtypit të Vatikanit, Rosset i shprehu Papës vlerësimin e tij për impenjimin e Kishës kiliane në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në letër, ai i përshkruan Papës angazhimin e grupit që drejton, për të gjetur familjarët “desaparecidos” dhe uron bashkëpunimin e forcave të armatosura e të qeverisë së Kilit për këtë. Është, tha ai, një kryqëzatë humanitare “që do të na mundësojë të arrijmë paqen shpirtërore për të cilën kemi kaq nevojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.