2018-01-19 19:30:00

Papa në Peru, takon jetimët në Puerto Maldonado: jeni yjet, që shndrisin natën


“Jeni yje, që e shndrisin natën”. Papa, siç bën shpesh, citoi “Princin e vogël”, novelën e famshme të Antoine de Saint-Exupery, për t’u thënë fëmijëve dhe të rinjve jetimë, që i takoi në “Hogar Principito” të Puerto Maldonados se ata mund ta ndryshojnë rrjedhën e historisë. Streha për 35 jetimë, ku ishin mbledhur edhe të rinj e fëmijë nga shtëpi të tjera të ngjashme, e merr emrin pikërisht nga titulli i librit. Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmi e pa një koreografi të realizuar nga një grup fëmijësh, për t’i falenderuar pastaj, e për t’u kërkuar falje sa herë që të rriturit nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur.

“Ju – u tha Papa – jeni, pa dyshim, thesari më i çmuar për të cilin duhet të kujdesemi”. E duke iu drejtuar të rinjve, që janë rritur në këtë Strehë, për të dalë më pas, me sukses, në jetë, i nxiti: “Ju jeni për të gjithë ne, shenjë e mundësive pa fund, që zotëron çdo njeri. Për këto djem e vajza jeni shembulli më i mirë për t’u ndjekur, shpresa se edhe ata mund t’ia dalin në jetë… Të jeni për ta, siç thoshte Princi i Vogël, yjet, që e shndrisin natën”.

E gjithnjë, duke pasur parasysh Amazonën dhe të rinjtë e popullsive indigjene, Ati i Shenjtë vazhdoi t’i nxisë të rinjtë të bëjnë më shumë e më mirë për shoqërinë, pa u ndalur, pa u shkurajuar. “Sot – pohoi Papa – dërrmoheni nga marramendja e një zhvillimi të kuptuar keq. Lumenjtë, që ju kanë parë të luani e ju kanë dhënë të hani, sot janë ndyer, janë ndotur, kanë vdekur. Të rinj, mos u dorëzoni para gjërave që ndodhin. Mos hiqni dorë nga trashëgimia e gjyshërve tuaj, mos hiqni dorë nga jeta dhe nga ëndrrat tuaja”.

 Studioni, i këshilloi Papa, dhe kthejeni në thesar urtinë e gjyshërve, duke e aktualizuar e duke e përshtatur për shoqërinë e sotme, pa harruar traditat. “Shoqëritë tona, shpesh, kanë nevojë të korregjohen dhe ju, të dashur të rinj të popujve të origjinës – jam i sigurtë – mund të na ndihmoni shumë në këtë sfidë, sidomos, duke na mësuar një stil jetese, i cili bazohet mbi kujdesin e jo mbi shkatërrimin e gjithçkaje, që i bie ndesh koprracisë tonë”.

Së fundi, duke falenderuar rregulltarët e misionaret, shoqatën Apronia dhe themeluesin e saj atë Xavier Arbes de Morsier, i cili e ngriti këtë shtëpi në vitin 1996 për t’i bërë ballë braktisjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve në Puerto Maldonado, Papa Françesku u lut së bashku me të vegjlit dhe u kërkoi të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.