2018-01-19 00:30:00

Më 19 janar kalendari kishtar përkujton shenjtorët Mario, Marta, Abako e Audifaçe.


Më 19 janar kalendari kishtar përkujton shenjtorët Mario, Marta, Abako e Audifaçe. Emri ‘Mario’ vjen nga keltishtja e do të thotë ‘burrë’, por populli beson se është gjinia mashkullore e emrit femëror ‘Maria’. Dëgjohet edhe në Shqipëri e në Kosovë si në trajtën e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marian. E kjo, sepse kulti që lidhet me Virgjërën Mari, njihet edhe si kult marian.

Shenjti legjendar, Mario, arriti në Romë së bashku me gruan, Martën, e me fëmijët: Abakon e Audifaçen nga Persia e largët, për të nderuar reliket e martirëve, siç bënin shumë të krishterë në atë kohë. Duhet të jetë nisur për shtegtim rreth viteve 268-270, në kohën e sundimit të perandorit Klaudi II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi kundër të krishterëve. Me sa mësojmë nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur në Romë, ku po përhapej me shpejtësi të jashtëzakonshme feja e re, krishtërimi. E aty ishte edhe në kohën kur Diokleciani, i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre edikte, pas të cilave rinisi një nga persekutimet më të tmerrshme kundër nxënësve të Krishtit.

Atëherë Mario e familjarët e tij u akuzuan se kishin varrosur gjatë rrugës romake Salaria trupat e 260 martirëve, që kishin mbetur mbi dhe me koka të prera. U dënuan me vdekje. Pësuan të njëjtin fat, si njerëzit që kishin varrosur, duke u martirizuar nën prefektin Flaviani. Reliket e Shën Marios nderohen në kishat romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes.








All the contents on this site are copyrighted ©.