2018-01-19 01:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. 

Tema kryesore e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj të diele është “THIRRJA e ZOTIT”, thirrja urgjente për t’u kthyer me shpirt e me zemër në udhën e Hyji, për të besuar në Të dhe pranuar Mësimin e Tij. Kështu edhe këtë të diele, kemi një skenë apo ngjarje që rrëfejnë “thirrjen”, që tregojnë vokacionin e katër dishepujve të parë të Zotërisë Jezus (Mk 1,14-20), pikërisht si në Ungjillin që dëgjuam të dielën e kaluar nga Gjoni (Gjn 1, 35-42). 

Ungjilli i kësaj së diele, nga Marku (Mk 1,14-20), na sjell fjalët e Jezusit: “Kthehuni e besoni në Ungjill!”. Fragmenti ungjillor na paraqet predikimin e parë të Zotërisë Jezus me ftesën e urgjencës së kthimit tonë, që vjen nga afrimi i Mbretërisë së Zotit, që mishërohet e bëhet e pranishme në vet personin e Jezusit. Kështu në fragmentin e Ungjillit të Markut kemi predikimin e parë te Jezusit. Është shumë i shkurtër, por ofron një sintezë të mirë të temave themelore të gjithë predikimit të Jezusit: plotësimi i kohës, Mbretëria e Hyjit, konvertimi, besim në Fjalën e Hyjit, Ungjill. Pastaj është thirrja drejtuar dishepujve të parë, paradigma konkrete e çdo ndjekjeje a ecjeje pas Mësuesit Hyjnor, Jezusit. Kësaj here, tekstet liturgjike, posaçërisht pjesa e Ungjillit, flasin jo aq mbi “kuptimin” apo “domethënien” e thirrjes shenjte, sesa mbi “urgjencën” e apelit të Krishtit për t’u “kthyer” te Hyji e për të fituar shpëtimin: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill” (rr.15).

Kështu, leximet biblike të kësaj së diele të 3-të gjatë vitit kishtar, nënvizojnë vullnetin e madh të Zotit për të ndarë bashkë me ne njerëzit, të mirat e veta Hyjnore. Për këtë, Ai na thërret ta jetojmë këtë çast të thirrjes, si dhe tërë jetën, në përkim me vullnetin e Tij Hyjnor, e t’i përmbahemi udhës që na tregon dhe planit që na propozon Fjala Hyjnore. “ Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill”: gjithçka është e përmbledhur në këtë fjali të thjeshtë të Ungjillit të kësaj së diele nga Marku, ku kemi tri fjalë: “koha”, “mbretëria” e “ungjilli”; e dy folje: “kthehuni” e “besoni”.

Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë ta ndryshojmë mënyrën e të jetuarit dhe të sjelljes sonë. Që sot, duhet të fillojmë një jetë të re, një jetë sipas Ungjillit. Edhe ne jemi të ftuar, ta ndjekim Krishtin pas, sikur bënë katër nxënësit e parë, pa hezitim dhe me gatishmëri për t'u kthyer tek Zoti e për të ecur rrugës së Tij, për t'u bërë kështu shenjë e besueshme e Lajmit të Mirë të Mbretërisë së Hyjit. Kështu, liturgjia e Fjalës së diele na fton të gjithëve ta ndjekim Krishtin me entuziazëm dhe me guxim gjithnjë e më të madh.

Leximi i parë nga libri i Jonës (Jon3,1-5.10) flet për kthimin e banorëve të Ninivës nga sjelljet e vepra e tyre të këqija. Libri i Jonës na kujton se e keqja duhet çrrënjosur nga jeta. Hyji, përmes profetit, fton në pendesë e ofron faljen.

Leximi dytë nga Letra e parë e Shën Palit drejtuar Korintasve (1Kor 7.29-31) na thërret të jetojmë në perspektivën e Zotit, për ta njohur kështu përmasën e vërtetë e të thellë të jetës sonë.

                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I-rë (Jon 3, 1-5.10) Ninivasit u kthyen prej sjelljes së tyre të keqe.

Lexim prej Librit të Jonës profet
Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit.
E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “ Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposët!”
Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin.
Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për dënimin, me të cilën u ishte kërcënuar se do t’ua çoj dhe nuk ua çoi. Fjala e Zotit!

Psalmi 25 (24)
Ref: M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua

_________
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
Sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
Në ty shpresoj gjithmonë.
_________
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
Dhe dashuria jote është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e paudhësitë e rinisë sime:
Të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
-për hir të mirësisë sate, o Zot.
_________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
Mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
Të përvuajturve u prin në drejtësi,
Të butëve ua mëson udhën e vet.
_________
 

Leximi i dytë (1 Kor 7, 29-31) Trajta e kësaj bote po kalon

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Ja, ç’dua të thëm, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Fjala e Zotit!

Alleluja!
Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, t’ju japë syve të zemrës suaj dritë,
që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.
Aleluja!

UNGJILLI (Mk 1, 14-20) Kthehuni e besoni Ungjillit!

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut
Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!”
Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllain e Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatar njerëzish!” Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij. Fjala e Zotit!
 








All the contents on this site are copyrighted ©.