2018-01-18 00:30:00

Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut n.2


2. Rubrika: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e (Gjergj Katriotit) Skanderbeut”. Kremtimet e 500-vjetorit në diasporë

Në emisionin e dytë të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”, po kujtojmë veprimtaritë e shumta organizuar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Shqipëri, Kosovë (që asokohe quhej Kosmet) e sidomos, diasporë, sepse këto të fundit njihen pak e aspak, ndërsa mund t’i frymëzojnë shumë organizatorët e kremtimeve, që do të vijojnë një vit të tërë, 50 vjet më pas.

Më 17 janar 1968 Skënderbeu u rikujtua me një valë të vrullshme manifestimesh kremtore. E jo vetëm në Shqipëri, por kudo jetonin e punonin shqiptarët, që vijojnë t’i shikojnë si të tyret, idealet atdhetare, për të cilat luftoi Skënderbeu. Një mori kongresesh shkencore qenë organizuar me këtë rast, e jo vetëm në Tiranë (13-17 janr 1968) por edhe në Prishtinë të Kosovës (9-12 maj 1968) që asokohe thirrej Kosmet e bënte pjesë në trojet e Jugosllavisë. E kjo, vetëm sa për të dhënë një shembull. Natyrisht nuk pati asnjë kremtim kishtar, sepse aso kohe Kisha në Shqipëri jetonte në biruca burgu, ku iu desh ta kremtojë në pranga edhe Skënderbeun, ndërsa përfaqësuesit e gjithë diasporës e kremtonin në Vatikan, me Papën Pali VI.  

Në Itali, ku traditat e lashta të Dheut të të parëve, vijojnë të ruhen me dashuri nga grupet e italo-shqiptarëve apo arbëreshëve të Sicilisë, Kalabrisë, Puglies e Moliseve, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit lulëzuan një sërë nismash. Vështirë të rikujtosh listën e kremtimeve fetare, konferencave, përkujtimeve historike, mbledhjeve, kuvëndimeve etj. etj., të cilat u organizuan që nga viti 1967 në qytete të ndryshme të Italisë e të viseve të tjera, ku ravgonin shqiptarët e ikur nga tmerret e komunizmit. Si dikur, nga turku! Mjafton të kujtojmë thirrjen e ipeshkvijve arbëreshë, botuar në festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, më 1967, simpoziumin e mbajtur në Bari, më 21-22 tetor të të njëjtit vit dhe takimet e mëdha të arbëreshëve e të shqiptarëve të diasporës, kremtuar në Romë, në janar e prill 1968.

Me këtë rast, përfaqësuesit më të shquar të diasporës u takuan, në Vatikan, me Papën Pali VI. Fjalët, që u tha Papa,  u pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga rreth 300.000 shqiptarë të pranishëm në Vatikan. Ky takim, i mbuluar me heshtje në Shqipërinë e kohës, do të kujtohej, në kohët tona, si takimi i parë i diasporës, organizuar nga Ernest Koliqi, i cili e përdori për herë të parë edhe fjalën “diasporë” , merita këto, që nuk i njihen as sot e kësaj dite. Po ky tubim nuk ishte ashtu siç përshkruhet: ishte thjesht kremtim, në të cilin mërgata e parë shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrësit, i tregoi botës me dinjitet se kush ishin në të vërtetë shqiptarët e kush ishte Heroi i tyre Kombëtar, që vuri gjithherë, mbi gjithçka, vlerat e trashëguara - gjë që e theksoi edhe Papa Pali VI në përshëndetjen drejtuar shqiptarëve. Po e kujtojmë më hollësisht këtë takim dhe fjalimin historik të Papës.

Audienca e Papës Montini rezervuar shqiptarëve me rastin e 500-vjetorit tё Gjergj Kastriotit, dëshmon shembullin e gjallë tё kujdesit, që Selia e Shenjtë ka pasur gjithmonë ndaj shqiptarëve, e se nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar nё Shqipëri. Ja çka tha me atë rast, më 25 prill 1968, Papa Pali VI:
“Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit (racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.