2018-01-18 13:18:00

Papa të rinjve të Kilit: të jeni protagonistë, gjithnjë të lidhur me Krishtin


Shenjtërorja e Maipù-së në kryeqytetin kilian, Santiago, ishte mbrëmë protagonistja e takimit të Papës Françesku me të rinjtë e Kilit. Vend historik, sepse kujton ndjetin e popullit për t’i ngritur një shenjtërore Zojës Karmë, pikërisht aty ku u mposht ushtria spanjolle 200 vjet më parë. Papa u fliste të rinjve menjëherë pas drekës me banorët e Araucanias në Temuco e pas takimit me indiosit Mapuche.

E di se zemra e të rinjve kilianë ëndërron gjëra të mëdha

         Ati i Shenjtë u drejtohet të rinjve, pasi dëgjon fjalët e njëri prej tyre. “Zoti – nënvizon – vë në zemrat tuaja ëndrra lirie, ëndrra gëzimi, ëndrra për një të ardhme më të mirë”, dëshirën “për të qenë protagonistët e ndryshimit”. Feja ngjall tek të rinjtë dëshirën për aventura, por juve, thotë Papa, ju pëlqejnë aventurat e sfidat bashkë. Të rinjtë, vijon Françesku, nuk janë të qetë, janë vazhdimisht në kërkim, ndjekin ideale. Por kujdes, paralajmëron Papa, në rrugën drejt pjekurisë nuk duhet ta korruptojnë shpirtin, duke e pranuar padrejtësinë, a thua se jemi të pafuqishëm para saj.

         Duke pasur parasysh këtë realitet rinor – pohon Papa – desha të mbledh këtë vit Sinodin e, para Sinodit, Takimin e të rinjve, që ta ndjejnë veten e të jenë realisht protagonistë në zemër të Kishës; që të na ndihmojnë për t’i dhënë Kishës një fytyrë të re, sigurisht, jo duke i bërë ndonjë trajtim me krem fortifikues, por duke i dhënë mundësi që, nga thellësitë e zemrës, të këshillohet, t’i shtrohen pyetje nga bijtë e saj, për të qenë çdo ditë e më shumë besnike ndaj Ungjillit. Sa nevojë ka Kisha kiliane për ju, që të na shkundni e të na ndihmoni të jemi më pranë Jezu Krishtit!

Pa lidhjen me Krishtin, të rinjtë ndjehen të humbur

         Papa Françesku tregon se për të riun e sotëm është e rëndësishme lidhja në internet, bateria e celularit gjithnjë e mbushur, përndryshe ndjehet jashtë botës, i çorientuar, i dëshpëruar. Kështu është edhe me fenë, pohon Bergoglio, sepse lidhja me të u jep jetë ëndrrave, u jep forcë zemrave.

         Pa lidhje, pa lidhjen me Jezusin, i mbysim ëndrrat – ëndrrat tona, fenë tonë – dhe na kaplon pakënaqësia. Nga protagonistë – siç jemi dhe duam të jemi – mund të arrijmë deri atje, sa të mendojmë: si bëre, si s’bëre gjë, është njëlloj… Shqetësohem kur, duke humbur ‘sinjalin’, shumë mendojnë se s’kanë asgjë për të dhënë e ndjehen të humbur. Mos mendo kurrë se s’ke gjë për të dhënë, ose se nuk ke nevojë për askënd.

Pasword-i(Fjalëkalimi) i Hurtados: ç’do të bënte Krishti në vendin tim?

         Por të rinjtë e Kilit, nënvizon më tej Papa, e kanë një shenjtor, që i udhëheq. Françesku flet për shën Albert Hurtadon, meshtar jezuit, që kishte një rregull të thjeshtë për ta mbajtur të ndezur me fe zemrën e vet. Papa e thotë vetë dhe i nxit edhe të rinjtë ta thonë bashkë me të, që ta kujtojnë për më vonë, ashtu siç bëhet me një “password”(fjalëkalim) për celularët:

         Fjalëkalimi i Hurtados ishte shumë i thjeshtë – nëse doni, do të më pëlqente ta shkruani në celularët tuaj. Ai pyeste: ‘Ç’do të bënte Krishti në vendin tim?” Në shkollë, në universitet, në rrugë, në shtëpi, me miqtë, në punë, para atyre, që bëjnë si të fortë: ‘Ç’do të bënte Krishti në vendin tim?’ Kur shkoni për të kërcyer, kur bëni sport, ose shkoni në stadium: “Çfarë do të bënte Krishti në vendin tim?’ Është password-i, energjia për ta ndezur zemrën, për ta ngjallur fenë: është shkëndija në sytë tuaj. Kjo do të thotë të jesh protagonist i historisë.

Edhe në shkretëtirë, Jezusi ka gjithnjë qarqe në rrjet

         Papa i fton të rinjtë të jenë të guximshëm, të rrezikojnë, të shkojnë për të takuar bashkëmoshatarët, kudo, pa frikë, sepse nuk do të jenë kurrë vetëm:

         Të dashur miq, të dashur të rinj – e përfundon homelinë e meshës në shenjtëroren e Maipù-së – të jeni samaritanë, që nuk lënë kurrë njeri përtokë, përgjatë rrugës. Të jeni të rinj cireneas, që e ndihmojnë Krishtin të mbartë Kryqin e tij dhe e ndajnë vuajtjen me vëllezërit. Të jeni si Zakeu, që e shndërron zemrën e tij materialiste në zemër solidare. Të jeni si Madalena e re, kërkuese e apasionuar e dashurisë, që vetëm në Jezu Krishtin gjen përgjigjet për të cilat ka nevojë.

         Të keni, ishte fjala e fundit e Papës, gatishmërinë e Marisë për t’i thurur lavde me gëzim Atit Qiellor e për të bërë vullnetin e Tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.