2018-01-17 00:30:00

Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut n.1


1. Rubrika: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”(1444-1468). Kremtimet e 550 vjetorit

Po fillojmë një rubrikë të re, kushtuar njërës nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, asaj të Skënderbeut, në fillim të vitit 2018, me rastin shpalljes së “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”. Për t’i bërë jehonë kësaj ngjarjeje me vlera të padiskutueshme kombëtare e madje edhe ndërkombëtare,  e cila i flet çdo zemre shqiptare, nga epopeja e lavdishme e Gjergj Kastriotit, që i vu fre pushtimeve të osmanllinjve, zgjodhëm një aspekt të veçantë: atë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, në kohët e Heroit Kombëtar.

U bazuam kryesisht tek vepra “L’Albania  e la Santa Sede; Ai tempi di G.C. Scanderbeg". (Shqipëria dhe Selia e Shenjtë. Në kohët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, botuar në Cosenza në “Casa del Libro”, 1960). Duke e pasuruar edhe me shumë të dhëna të tjera, që do t’i kujtojmë, në vijim.

1. Vit Mbarëkombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së re do të ishte shpallja e vitit 2018 “Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut”. Deklaratën e tij Rama e bëri në rrjete sociale pas një takimi dy ditor me të përzgjedhurit e tij në kabinetin e ri. Vendimi u mor për të kujtuar heroin kombëtar shqiptar në 550-vjetorin e vdekjes. Kujtojmë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu duhet të ketë lindur më  6 maj 1405. Datë e pasigurt, kjo. Prandaj Gjergjit nuk i kremtohet lindja, si gjithë heronjve të pavdekshëm, që kanë vetëm një datë, datëlindjen, por dita kur mbylli sytë, 17 janari 1468.  550-vjet më parë.

Edhe Kisha katolike në Shqipëri i ftoi gjithë besimtarët e saj të bashkohen në këtë ngjarje të madhe, që do të arrijë kulmin me Meshën solemne të 17 janarit 2018 në Lezhë, kushtuar Atdheut.

Ndërsa ne po përpiqemi të hyjmë në atmosferën e këtij kremtimi, parë në një plan pak të njohur, të injoruar ose të shtrembëruar për një kohë të gjatë, përmes një rubrike, me titull: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohët e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, pasuar nga nëntitulli: “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët për mbrojtjen e Perëndimit të krishterë (1444-1468)”. Do të shfrytëzojmë për të disa burime, ndërmjet të cilave,  Revistën e Jezuitëve “Civilà Cattolica, quderno 2845 anno 120, 1969, volume primo (Un recente Convegno su Giorgio Castriota Skanderbeg eroe nazionale albanese, nga Carmelo Capizzi SJ, fq 57- 61) kushtuar kremtimeve në diasporë; Veprën e arbëreshit  Alessandro Serra, me të njëjtin titull dhe kumtesat e mbajtura në Mbledhjen V ndërkombëtare të studimeve shqiptare (Palermo 1968) kushtuar kremtimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, mbajtur në Palermo.








All the contents on this site are copyrighted ©.