2018-01-17 11:30:00

Papa Françesku në Kili: programi i ditës së sotme, 17 janar


         Dita e dytë e veprimtarive të Papës Françesku në Kili. Sot, Ati i Shenjtë shkon në Temuco, kryeqendër e rajonit të Araucania-s, 674 km në jug të Santiagos. Këtu banojnë indiosit Mapuche, kultura dhe stili i jetës së të cilëve janë akoma mjaft të dukshme në qytet. Këtu, në fillim të ‘900-ës, jetonin dy njerëz të famshëm, të dy Çmime Nobel, Gabriela Mistral (gruaja e parë lantinoamerikane, që fitoi Çmimin Nobel për letërsi) dhe Pablo Neruda (tjetër poet e letrar, përveçse diplomat e politikan). Këtu, Papa Françesku do të kremtojë meshën, në aeroportin Maquehue, ku mund të hyjnë deri në 400 mijë besimtarë. Kremtimi eukaristik, në spanjisht, që do të fillojë në orën 14.30, me atë evropiane, ka si temë “përparimin e popujve” e në të do të marrin pjesë përfaqësi të ndryshme të popullit Mapuche, që do ta mbushin meshën me elemente tradicionale liturgjike.

         Në pas, në orën 16.30 evropiane (12.30 lokale), Papa Françesku do të shkojë në Shtëpinë “Nëna e Shën Kryqit” të murgeshave të Shën Kryqit, që merren me edukimin në sektorë të ndryshëm, si pjesë e misionit ungjillëzues të Kishës. Aty, Ati i Shenjtë do të drekojë me banorët e Aracuania-s dhe do të takohet me murgeshat, në kapelën e Institutit.

         Pas drekës (në mbrëmje me orën evropiane), Papa do të kthehet me avion sërish në Santiago, për të shkuar në shenjtëroren e Maipù-së, që kremton 200-vjetorin e themelimit. Shenjtërorja u ndërtua si plotësim i premtimit të popullit kilian për t’i ngritur një vend kulti Virgjërës së Karmës, në atë pikë ku do të mposhtej ushtria spanjolle, që në vitin 1818, kërcënonte pavarësinë e shpallur më 1810. Besuar Etërve të Schönstatt, më 3 prill 1987 shenjtërorja priti Papën Gjon Pali II, i cili pikërisht prej saj, ia besoi Kilin Zojës së Bekuar. E këtu, Papa Françesku do të takohet me të rinjtë. Ata do t’i paraqesin Simbolin e tyre për Sinodin e ardhshëm kushtuar të rinjve: do të sjellin Kryqin e Kilit e do t’i japin Papës një kordele të kuqe, shenjë e gjakut të derdhur nga Krishti. Ati i Shenjtë do ta lidhë kordelen në Kryq.

         Në orën 23.00 evropiane (19.00 lokale), Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Universitetin Papnor Katolik të Kilit, themeluar më 21 qershor 1888. Aktualisht, në të studiojnë rreth 25 mijë vetë, rreth 3.500 të tjerë ndjekin kurse për master dhe më se 1.100, doktoraturën. Papa do t’u flasë studentëve dhe akademikëve të mbledhur me këtë rast. Kjo është veprimtaria e fundit e kësaj dite të Papës Françesku në Kili, i cili nesër do të niset për në Peru, etapa e dytë e udhëtimit të tij të 22-të apostolik ndërkombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.