Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Imzot Massafra, në meshë për Skënderbeun: kremtojmë një shembull të fesë së gjallë

Gjergj Kastrioti Skanderbeu - RV

17/01/2018 15:02

Sot, në orën 9.00, në kishën katedrale të Lezhës, të gjithë ipeshkvijtë shqiptarë u mbodhën për kremtimin e një meshe falenderimi me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në Vitin kushtuar atij. Më pas, një ceremoni pranë memorialit të Skënderbeut. Po ju propozojmë homelinë e mbajtur nga kryetari iKonferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra

Vëllezër e motra,

liturgjia e sotme na vë përballë disa nxitjeve të dobishme për reflektim, përveçse për jetën tonë të krishterë, edhe për të kujtuar ngjarjen që jemi duke kremtuar, pra 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në të vërtetë, Liturgjia e Fjalës na ka paraqitur figurën e Davidit, figurë shumë e rëndësishme për popullin e hershëm të Besëlidhjes, i cili, duke u mbështetur vetëm në Hyjin, arrin ta mposhtë kampionin e Filistenjve dhe, kështu, merr rëndësi para syve të popullit. Ai është mbështetur vetëm në Hyjin dhe kjo ka qenë forca e tij.

Të vëna në gojën e Davidit, fjalët që kemi lutur në psalmin përgjegjës, marrin domethënie dhe bëhen për ne angazhim që të mbështetemi vetëm në Hyjin në të gjitha provat e jetës.

Një tjetër shembull guximi nga vjen prej Ungjillit, aty ku Jezusi u mbyll gojën bashkëbiseduesve të vet, të gatshëm t’i ngrehin një kurth për të krijuar një rast që ta akuzojnë, duke treguar faktikisht se, para Hyjit, personi njerëzor ka më shumë rëndësi se të gjitha ligjet, edhe më shumë se ai me natyrë fetare.

Ja, vëllezër e motra, dy pole me rëndësi jetësore që duhet të katalizojnë absolutisht gjithë jetën tonë dhe angazhimin tonë si besimtarë në Krishtin: Hyji dhe personi njerëzor. Nga ana tjetër, vetë Jezusi na ka mësuar se urdhërimet që përmbajnë gjithë kuptimin e Ligjit hyjnor janë dashuria ndaj Hyjit, e plotë dhe ekskluzive, dhe dashuria ndaj të afërmit, në masën e dashurisë që secili ushqen për vetveten.

Lutjet e Meshës, pastaj, si ajo para leximeve si ato që do të përdorim në kushtimore dhe pas kungimit, na bëjnë të hyjmë në përkujtimin liturgjik të Shna Ndout abat që sot Kisha e kremton dhe e kujton si atin e monakizmit dhe si luftëtar të madh kundër çdo forme të egoizmit personal dhe kundër çdo forme të pajtimit me të keqen e me mëkatin. Një ushtar i vërtetë i Krishtit që, në tërheqjen e tij në shkretëtirë, kishte kuptuar se lirimi më i madh i njeriut nga ana e Hyjit ndodh vetëm në të qenurit aleatë të Hyjit kundër së keqes. Por kundër cilës së keqe?

Para së gjithash kundër asaj që është brenda nesh dhe që vetëm me luftë e me lutje mund ta largojmë për t’i përkitur krejtësisht Hyjit. Nga ajo përvojë e Shna Ndout Abat, pastaj kanë vijuar në Kishë shumë forma të kushtimit Hyjit, gjithmonë me të njëjtin qëllim, edhe pse me metoda dhe stile të ndryshme.

Le të shikojmë përreth, vëllezër e motra, çfarë krijon kaq shumë të këqija e luftëra sa egoizmi dhe lakmia për lavdi, për pushtet, për pasuri dhe, më në përgjithësi, për kënaqësi? Këto janë elemente që e kanë rrënjën të gjitha tek mëkati i hershëm i njeriut në parajsën tokësore: për të qenë të pavarur nga Hyji, për të qenë Hyji i vetvetes.

Kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut nuk dëshiron absolutisht të jetë kremtim i një lufte fetare, as dëshirë për të arsyetuar lumenjtë e gjakut që kanë lagur Atdheun tonë për shkak të atyre luftërave. Në të vërtetë, Skënderbeu nuk ka bërë një luftë fetare, por vetëm ka mbrojtur Atdheun nga pushtuesi dhe fenë e krishterë, pjesë e identitetit të popullit shqiptar në atë epokë.

Aq më pak mund ta gjykojmë historinë “me mend pas kuvendit”, siç mendojnë të bëjnë disa sot, sepse parimi i parë i historiografisë është pikërisht ky: historia gjykohet me historinë. Të mos e harrojmë: Skënderbeu ishte “atleti i Krishtit”, ashtu sikurse Papa Eugjeni IV (ose Kalisti III) e ka përkufizuar, një njeri që, pikërisht sepse jetoi në oborrin e Sulltanit, vendosi pastaj të bashkohej me kauzën e popullit të vet dhe ta mbronte atë nga ato që ishin vetëm qëllime ekspansioniste të cilat nuk kishin aspak të bëjë me fenë, por vetëm me politikën.

Pra, nuk kremtojmë thjesht një njeri, por një shembull të fesë së gjallë e të guximshme që sot do të meritonte të rizbulohej e zbatohej edhe nga shoqëria aktuale shqiptare. Prandaj, ky kremtim eukaristik që ne ipeshkvinjtë e kemi dëshiruar pikërisht për t’u lutur për Atdheun tonë, le të jetë rast për t’i lartësuar lutjet tona drejt Hyjit për të mirën e Kombit tonë që, ndoshta, nuk është duke e kuptuar se largimi prej Hyjit është shkak i shumë të këqijave, dhe të këqijat e shumta që sot është duke përballuar janë rezultati i këtij largimi. Vendin e Hyjit gjithnjë e më shumë është duke e zënë uni, egoizmat personale dhe interesat e kastave.

Kemi një betejë për të bërë, por nuk kemi forcat për ta bërë sepse forcat më të reja janë duke u larguar të gjitha: dhe nëse largohen forcat më të mira të Shqipërisë, këtu kush mbetet? Është e vërtetë se jemi në duart e Hyjit por, siç thoshte i Lumi Charl De Foucold:

Krishti nuk ka duar,

ka vetëm duart tona
për ta bërë sot punën e vet.

Krishti nuk ka këmbë,

ka vetëm këmbët tona
për t’u prirë njerëzve
në shtigjet e tij.

Krishti nuk ka buzë,

ka vetëm buzët tona
për t’u treguar për veten njerëzve të sotëm.

Krishti nuk ka mjete,

ka vetëm ndihmën tonë
për t’i afruar njerëzit tek vetja sot.

Ne jemi e vetmja Bibël

që popujt lexojnë ende,
jemi porosia e fundit e Hyjit
e shkruar në vepra dhe fjalë.

Duart tona, këmbët tona, buzët tona, mjetet tona, gjithçka le të jetë në dispozicion të Hyjit në mënyrë që Shqipëria të ringrihet e të gjejë në vetvete arsyet e shpresës dhe atë lirim prej së keqes për të cilin ka aq shumë nevojë. Ose, për ta thënë me vetë fjalët e Skënderbeut në Krujë: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjata këtu, mes jush”. Jemi ne vetë përgjegjës të së ardhmes sonë dhe, me ndihmën e Hyjit, do t’ia arrijmë.

Por, me kusht që të hedhim tutje çdo formë egoizmi për t’i lënë vend Hyjit, të cilit i qoftë nder e lavd për të gjithë shekujt e shekujve.

17/01/2018 15:02