2018-01-16 16:00:00

Papa në Kili, kremton meshën në Santiago: "Dëshiron paqen? Puno për të"


Papa Françesku ndodhet tashmë në Kili, ku pas mbërritjes pak pas mesnatës (me orën evropiane), filloi veprimtarinë e shumta, të parshikuara në udhëtimin e tij të 22-të apostolik. Deri më 18 janar, Ati i Shenjtë do të qëndrojë në Kili e më pas, do të shkojë në Peru, deri më 22 janar, dita e kthimit të tij në Romë.

         Kremtimi më i rëndësishëm i ditës së sotme është pa dyshim ai i meshës në Parkun O’Higgins të Santiagos, nën shenjën e paqes e të drejtësisë, para rreth 600 mijë besimtarëve. Gjatë meshës, Papa kurorëzon fuguren e së Lumes Virgjër Mari të Malit Karmel. Në homeli, është Ungjilli i lumnive ai, që e frymëzon Atin e Shenjtë, i cili u drejtohet zemrës së kilianëve, “eksperte e fillesave të reja”, “eksperte për t’u ngritur sërish në këmbë, pas rënies”. Për këtë zemër janë lumnitë, thotë Papa. E në një homeli të ndjerë, të menduar së bashku me njerëz të mirënjohur në Kili e në gjithë Amerikën Latine si poeti e shkrimtari Pablo Neruda, si kardinali Raùl Silva Henrìquez, që i përmend vazhdimisht, Ati i Shenjtë merr shembullin e Krishtit, që i shihte njerëzit në sy, për t’u thënë të pranishmëve nga vijnë lumnitë:

         “Lumnitë nuk vijnë nga qëndrimi pasiv para realitetit, e as nga spektatori, që kthehet në autorin e trishtë të statistikave mbi gjithçka ndodh. Nuk lindin nga profetë fatkeqësish, që kënaqen duke mbjellë deziluzionime. As nga mirazhet, që premtojnë lumturi sa hap e mbyll sytë. Përkundrazi, lumnitë lindin nga zemra e mëshirshme e Jezusit, që takohet me zemrat e burrave e të grave, të cilët dëshirojnë një jetë të lume; me zemrat e burrave e të grave, që e njohin vuajtjen, e njohin humbjen dhe dhimbjen kur ‘të lëkundet toka nën këmbë’, ose kur ‘mbyten ëndërrat’ e puna e një jete shkon kot; por janë ata burra e gra, që e njohin edhe më shumë këmbënguljen e luftën për të ecur përpara; edhe më shumë, njohin rindërtimin e rifillimin”.

         Lumnitë, vijon Papa Françesku, lindin nga zemra e mëshirshme, që nuk lodhet së shpresuari, që e di se shpresa “është dita e re, çrrënjosja e palëvizshmërisë, shkundja nga ai gjunjëzim negativ” (Pablo Neruda, El habitante y su spernaza, 5). E dita e re, për Atin e Shenjtë, është ajo kur të gjithë kilianët do të punojnë për të ardhmen e atdheut të tyre, sipas fjalëve të Ungjillit: “Lum veprimtarët e paqes, sepse do të thirren bij të Hyjit” (Mt 5,9).

         Mos u dorëzoni, u thotë Papa banorëve të Kilit, por përdorini duart, mendjen e zemrën për t’u impenjuar në favor të pajtimit, që brezat e ardhshëm të jetojnë në paqe. E nëse përpiqeni për të tjerët, nëse nuk mbillni përçarje, do të jeni të lumtur:

         “Në këtë mënyrë, lumnitë na bëjnë artizanë të paqes: na ftojnë të impenjohemi që shpirti i pajtimit t’i bëjë vend vetes ndërmjet nesh. A do gëzim? A do lumturi? Të lumtur janë ata që punojnë, në mënyrë që të tjerët të kenë jetë të gëzueshme. A dëshiron paqe? Puno për paqen”.

        E duke përmendur kardinalin e ndjerë të Santiagos, Raùl Silva Henrìquez, Papa nënvizon: “Nëse do paqen, puno për drejtësinë”. Por drejtësi nuk është vetëm “mos vidh”. Ka një tjetër drejtësi, ngre zërin Bergoglio: ajo na kërkon që secili të trajtohet si njeri. Prandaj, paqja hedh farë, duke u afruar me njerëzit, duke dalë nga shtëpia e duke takuar fytyrat, nevojtarët, të mënjanuarit, ata që nuk trajtohen si bij të denjë të tokës kiliane. Kjo është e vetmja mënyrë, sipas Françeskut, për të ndërtuar një të ardhme në paqe:

         “Veprimtari i paqes e di se shpesh duhen kapërcyer meskinitete dhe ambicie të mëdha apo të vogla, që lindin nga pretendimi për ‘të marrë emër’, për të fituar prestigj në dëm të të tjerëve. Veprimtari i paqes e di se nuk mjafton të thuash: nuk i bëj keq kujt, sepse, siç thoshte shën Albert Hurtado: ‘Shumë mirë që s’bën keq, por shumë keq që s’bën mirë’”.

         E para se t’ia besojë Santiagon Zojës së Papërlyer, Papa Françesku thekson se arritja e paqes është proces, që e stimulon krijimtarinë për t’u dhënë jetë atyre marrëdhënieve, të cilat shohin tek i afërmi jo të huajin, të panjohurin, por birin e kësaj toke.








All the contents on this site are copyrighted ©.