2018-01-15 09:18:00

Më 15 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Palin, vetmitar


Duke shfletuar kalendarin, më 15 janar, Kisha katolike përkujton Shën Palin, vetmitar.

Shën Pali, themelues i vetmitarëve, lindi në Tebaidën e poshtër rreth vitit 234. Në moshën 15 vjeçare iku në shkretëtirë, si Jezu Krishti, për të jetuar në varfëri të plotë, larg çdo pasurie e lakmie njerëzore. Zgjodhi një shpellë për banesë, një palmë, për ushqim e veshmathje, një gurrë uji për të shuar etjen, një copë bukë që ia sillte një korb çdo ditë nga qielli, për të zgjatur jetën e tij të mrekullueshme. E kështu Shën Pali vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg botës e i panjohur për të, atij që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u shtrëngua të shkonte për të lindur në një shpellë. 

Po Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte edhe Zoti. Kështu me të filloi jeta e eremitëve apo vetmitarëve të cilët, për folur me Zotin, hoqën dorë nga shoqëria, madje edhe nga çdo lloj takimi me njerëzit. Ishin engjëj tokësorë, ndër të cilët u duk, për t’u dhënë mësim shekujve të ardhshëm, pushteti e pasuria e Zotit, që i mjafton, edhe e vetme, çdo krijese. Mrekullohemi para figurave si ajo e Shën Palit vetmitar, përmes të cilave shikojmë sesi misteri i Zotit të mishëruar mundi ta lartojë natyrën njerëzore të rënë nën skllavërinë e ndjenjave, të dehur nga etja e pashuar për të mira tokësore.

E megjithë jetën thellësisht të vetmuar, me gjithë kundrimin mbinjerëzor, njerëzit si Shën Pali nuk u shkëputën kurrë nga Kisha dhe nga betejat e saj të lavdishme. Nga thellësia e shpellës së tij, i ndriçuar nga një dritë e mbinatyrshme ndiqte luftërat e Kishës kundër arianizmit, bashkohej me mbrojtësit e Fjalës së Mishëruar të Hyjit, i kundërvihej çdo sulmi të pabesë kundër Zotit. 

Emri i Palit, atë i vetmitarëve, lidhet ngusht me atë të Shën Andout Abat, atit të Çenobitëve apo të njerëzve që mbylleshin gjithë jetën në kuvende. Që të dy mënyrat e jetesës burojnë nga e njëjta gurrë, nga Grazhdi i Betlehemit. Shën Pali vetmitar jetoi në shkretëtirë 113 vjet. Trupi i tij i vdekur u mbart në Kostandinopojë nën perandorinë e Manuel Komnenit, më pas në Venedik e në bashkësinë e vetmitarëve të Budës në Hungari. Jetën e tij e shkroi Shën Jeronimi në vitin 376.








All the contents on this site are copyrighted ©.