2018-01-13 00:30:00

Më 14 janar 1703 nisi Kuvendi kishtar i Arbërit


Më 14 janar 1703 nisi Kuvendi kishtar i Arbërit, i cili mbrojti  identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve. Pra më 14, 15 e 16 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës katolike në trojet Shqiptare, mbledhur me dëshirën e Papës Klementit XI, Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ndër shqiptarë, ia besoi këtë detyrë kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve, në dhjetor 1703, prelati mblodhi në Kuvend 5 ipeshkvijtë e 3 misionarë të vendit.

Kështu, në Kishën e Shën Gjonit të Merqisë, tri kilometra në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit,  u mbajt Kuvendi i Arbënit, apo mbledhja sinodale e ipeshkvijve katolikë shqiptarë, një ngjarje kjo me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e popullit shqiptar nën pushtimin e otomanëve, për gjuhën shqipe e për Kishën katolike në trojet shqiptare.

Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.

E dekretet, do të thotë vendimet e Kuvendit të Arbërit, që u nënshkruan nga 7 ipeshkvij e 3 misionarë, qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.

Më 28 janar të vitit të largët 1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin "Propaganda Fide" miratonte botimin e dokumenteve të këtij Koncili kishtar. Asokohe në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë.

Në përfundim, vendimet e Koncilit kishtar të Arbërit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtatëqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin".

E sigurisht, vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë e në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare, për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar shqiptar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.

Siç përmendem, materialet e punimeve të Kuvendit kishtar të Abërit të vitit 1703, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.

Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.  Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.