Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 13 janar kalendari kujton Shën Hilarin e Puatjesë

Më 13 janar kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar i Kishës.

13/01/2018 10:25

Më 13 janar kalendari kishtar kujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar i Kishës. Hilari, i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte me etje dritën e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat neoplatonike, për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishterimi, tek drita. Pronar fisnik tokash, i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë. Luftoi herezinë ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De Trinitate’.

Në këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin në Trininë e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të Ungjillit sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci, i cili i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi i Puatjesë u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet.

Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi t’i thellojë studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë prodhimin e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë për librin ‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Ishte traktati më i rëndësishëm e më i thellë i shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë së krishterë.

E nuk u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia kishte në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër, pse pretendonte të sundonte edhe Kishën e pse përzihej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin.
Si u rikthye në seli, ipeshkvi guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin e ardhshëm të Turit, Shën Martinin.

Vdiq në vitin 367. Mbeti në kujtesën e Kishës si polemist i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i qe besuar. Njerëzor në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë që e pranonin gabimin, duke u njohur edhe të drejtën të vijonin veprimtarinë në selitë e tyre. Papa Piu IX e shpalli ‘Doktor i Kishës’. Emri Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë ‘gëzim’. Simboli i shenjtit është shkopi baritor

13/01/2018 10:25