Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës sё Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Duccio di Buoninsegna Vocazione di Pietro e Andrea

13/01/2018 01:30

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Pas solemnitetit të Krishtlindjes, festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit, kremtimit të solemnitetit të Epifanisë a Dëftimit të Zotit dhe kremtimit të solemnitetit të Pagëzimit të Jezusit, me këtë të diele fillon koha liturgjike e quajtur “gjatë vitit kishtar” që ka 34 të diela, me ndërkohët e forta liturgjike të Krezhmëve e të Pashkëve. Kjo periudhë liturgjike është po kështu kohë hiri e bekimi Hyjnor, e nga jonë kërkohet një impenjim dhe dëshmi e përditshme e Dashurisë së Zotit.

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e kësaj së diele na flet për thirrjen e Hyjit, nё dinamikёn e zakonshme thirrje-pёrgjigjje, si formё e privilegjuar e dialogut tё Zotit me njeriun. Dihet se thirrja e Hyjit pёrshkon tёrё Biblёn. Kёsaj sё diele kemi shembullin e thirrjes së Samuelit tё ri (Leximi I) dhe tё dishepujve tё Gjon pagёzuesit, tё cilёt u bёnё dishepujt e parё tё Zotit Jezus (Ungjlli), pastaj kemi thirrjen e secilit njeri, tё çdonjёrit prej nesh, pёr t’u bёrё, sipas Shën Palit, imituesit e Krishtit.

Ungjilli i kёsaj sё diele është një rilexim i vokacionit të dishepujve të parë të thirrur nga Jezusi. Edhe në mesin e jo besimtarëve janë të shumtë ata që i njohin elementet e famshme skenografike, të cilat Ungjijt i përdorin si kornizë për të përshkruar ndezjen e shkëndijës së parë të Kishës së krishterë. Njëri nga protagonistët, Andrea ia paraqet të vëllait thirrjen a ecjen pas Jezusit, Pjetrit me këto fjalë: “Kemi gjetur Mesinë!” Pastaj, zemrat e një grupi të zgjedhurish, fati i të cilëve, që nga ai moment takimi, do të jetë i lidhur ngushtë me atë të Jezusit.

Aventura e Apostujve fillon kështu, si një takim njerëzish, që ia hapin zemrën njëri-tjetrit. Fillon për dishepujt njohja e drejtpërdrejtë e Mësuesit. Në fakt, atyre nuk u duhet të shpallin ide, por të jenë dëshmitarë të një Personi. Para se të dërgohen për të ungjillëzuar, duhet të qëndrojnë me Jezusin e të krijojnë marrëdhënie personale me Të. Apostulli është i dërguari, por akoma më parë, është eksperti i Jezusit. E kjo ndodh, pavarësisht nga karakteri i tij jo i përsosur. Thirrja e apostujve të parë nuk ndryshon në thelb nga thirrja që Krishti i drejton edhe sot secilit prej nesh. Dymbëdhjetë Apostujt nuk ishin njerëz të përsosur, të zgjedhur pasi nuk mund të qortoheshin nga pikpamja morale dhe fetare. Ishin pa dyshim besimtarë, plot entuziazëm e zell, por kishin kufizime njerëzore, nganjëherë edhe të rënda. Pra, Jezusi nuk i thirri sepse ishin shenjt, por që të bëheshin shenjt. Ashtu si ne. Ashtu si gjithë të krishterët jemi të thirrur nga Jezusi.            

Leximi i Parë ( 1Sam 3,3b-10.19) Fol o Zot, se shërbëtori yt të dëgjon. Samueli i vogël nuk e njeh akoma Zotin. Falë mësuesit të tij, meshtarit Eli, do të jetë i udhëhequr për të dëgjuar zërin e Zotit.
Psalmi 39. Ja, unë vij o Zot për të kryer vullnetin tënd. Edhe ne i drejtojmë Zotit “Ja-në” tonë nëpërmes lutjes Psalmit ( në seksionin Himnet në Meshë, himni i një refreni ......të psalmit).
Leximi i Dytë ( 1Kor 6,13c-15a. 17-20) Gjymtyrët tuaja janë pjesë e Krishtit. Zoti na ka shpëtuar “me çmim të shtrenjtë”, nëpërmes vdekjes së tij në kryq. Shën Pali na fton të jetojmë në përputhje të qenurit tonë tempull i Shpirtit Shenjt.
Ungjilli (Gjn 1,35-42) E panë ku jetonte dhe qëndruan me të. Takimi me Jezusin ndryshon jetën. Apostujt e parë e bëjnë këtë përvojë dhe nga ai moment për ta fillon një kohë e re, një mision i ri, një identitet i ri.

Kёshtu, liturgjia e Fjalёs sё Zotit na fton të jemi dëshmitarë tё Hyjit, sepse siç bëri me apostujt, Zoti na thërret ta ndjekim dhe ta përhapim në botë praninë e Tij, Dashurinё, Mёshirёn dhe Lajmin e Tij tё Mirё.

                      Liturgjia e Fjalёs sё Zotit             

Leximi i parë 1 Sam 3, 3-10.19
Përshkruhet thirrja e Hyjit drejtuar Samuelit. Pas dyshimeve të para, mungesës së përvojës dhe këshillave të të moshuarit Eli, djaloshi fillon të dëgjojë dhe t’i bindet Zotit, dhe nga ai moment kupton dhe pranon urdhërimet e tij. Fjala e Hyjit na paraqet me ngulm Samuelin që është gjithmonë i kujdesshëm ndaj zërit të Hyjit dhe nuk humbet asnjë fjalë të tij.

Lexim prej Librit të parë të Samuelit
Në ato ditë, Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” U lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre.” Heliu i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli!” Ai shkoi e ra të flinte. Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi te Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre.” Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli!” Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi te Heliu e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur!” Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt!’” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet të rëndomtë. Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel!” E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon.” Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 40
Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,
dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time. Në gojë më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë.

Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë’.

Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di

Leximi i dytë 1 Kor 6, 13-15.17-20
Shën Pali u kujton të krishterëve të Korintit dinjitetin e trupave të tyre, të cilët tani nëpërmjet pagëzimit, janë pjesë të Krishtit dhe tempull i Shpirtit Shenjt. Na kujton detyrën për të lavdëruar Zotin në trupin tonë me një sjellje të denjë të atyre që janë pjesë e trupit të Krishtit. Trupi, si tempull i Shpirtit, është i paracaktuar të bëhet vendbanim i Trinisë. Për këtë duhet të kemi kujdes për trupin.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, trupi nuk është për fëlligështi, por për Zotin, e Zoti për trupin. Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet, edhe ne do të na ngjallë.
A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos e thashtë Zoti! Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt. Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmimin! Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.
Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon. Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 1, 35-42
Apostulli Gjon na tregon për thirrjen drejtuar dishepujve të parë Andrea dhe Gjoni. Gjon Pagëzuesi duke u takuar me Jezusin fton dishepujt e tij të bëhen ndjekësit e parë të Mësuesit hyjnor. Jezusi përcaktohet si Qengji i Hyjit, Mësuesi, Mesia. Me pak fjalë janë përmbledhur natyra njerëzore dhe hyjnore e Krishtit Jezus. Hyji i fton njerëzit të bashkëpunojnë me Krishtin duke u ofruar miqësinë e tij dhe duke u kërkuar gatishmërinë e tyre.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën:“Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?” “Ejani e shihni!” – u përgjigji. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës katër pasdite.
Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!” Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb). Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

 

13/01/2018 01:30