2018-01-12 19:35:00

Santiago i Kilit: sulme në prag të udhëtimit apostolik të Papës


Pak ditë para udhëtimit të 22-të apostolik të Papës Françesku në Kili e në Peru, për të cilin Ati i Shenjtë niset më 15 janar, katër sulme me bomba – prej të cilave u neutralizua njëra – shqetësuan sot paradite kryeqytetin e Kilit, Santiago. Objektivat: kisha e Emmanuel de Recoleta dhe e Cristo Vencedor di Penalolen, si edhe famullia e Jesus Maestro dhe shenjtërorja e Cristo Pobre di Matucana, e vetmja, që nuk arritën ta dëmtojnë.

Sipas agjencive të shtypit, një grup anarkistësh, udhëhequr nga ish-kandidatja për presidente, Roxana Miranda, mori peng, për disa minuta, selinë e nunciaturës apostolike, si akt proteste kundër “milionave të shpenzuara” për pritjen e Papës Françesku. “Këto gjeste – deklaron kryeipeshkvi i Santiagos, kard. Ricardo Ezzati – në vend që të na dëshpërojnë, na e vënë zemrën në gjendje pritjeje dhe shprese edhe më të madhe. Ne e dimë se dashuria e Krishtit mbizotëron gjithmonë”.

Reagimi i presidentes

Presidentja e Kilit, Michel Bachelet, shprehu dënimin e saj për sulmet – për të cilat nuk dihet akoma kush i ka organizuar – duke theksuar se qeveria do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar në planifikimin dhe në organizimin e mirë të qëndrimit të Atit të Shenjtë në vend. Gjatë këtyre sulmeve janë shpërndarë fletushka me kërcënime kundër Papës.

Nota e kryedioqezës së Santiagos

Në një notë të kryedioqezës së Santiagos, pas sulmeve kundër katër kishave katolike në kryeqytet, lexohet: “Shprehim dhimbjen tonë të thellë për këto fakte, që bien në kundërshtim me frymën e paqes, e cila përshkon vizitën e Papës në vend”.

“Me përvuajtëri e qetësi u kërkojmë atyre, që i kanë organizuar këto akte – të cilat e dimë se nuk përfaqësojnë absolutisht ndjenjat e shumicës së popullsisë – të reflektojnë mbi nevojën e respektit dhe të tolerancës për të gjithë, që të ndërtojmë një atdhe vëllezërish”.

“Kili ka nevojë për shumë dialog”, vijon nota, e cila përfundon, duke i ftuar “të gjithë katolikët”, “besimtarët e feve të ndryshme” dhe “burrat e gratë vullnetmira, të rinovojnë gëzimin e tyre e të marrin pjesë në kremtimet e javës së ardhshme, së bashku me Atin e Shenjtë, që na sjell një mesazh shprese e dashurie për të gjithë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.