2018-01-12 11:53:00

Papa në Shën Martë: lutja e krishterë është e guximshme dhe lind nga feja


Si përshkruhet në Ungjill lutja e atyre, që arrijnë të fitojnë ç’kërkojnë nga Zoti? Kjo është pyetja, nga e cila zë fill reflektimi i Papës Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.

Lutja me fe e nga feja

         Dje e sot, Ungjilli sipas Markut tregon për dy shërime, kujton Ati i Shenjtë, për atë të të gërbulurit apo lebrozit dje e, për atë të të paralizuarit, sot. Të dy luten për t’u shëruar, të dy e bëjnë këtë me fe: madje i gërbuluri, nënvizon Papa, e sfidon Jezusin me guxim, duke i thënë: “Nëse do, mund të më pastrosh!” E përgjigjja e Zotit është e menjëhershme: “Dua”. Pra, siç na mëson Ungjilli, gjithçka është e mundur për atë, që beson:

         Gjithnjë, kur i afrohemi Zotit për t’i kërkuar diçka, duhet të nisemi nga feja e ta bëjmë me fe: “Unë kam besim se Ti mund të më shërosh, unë besoj se mund ta bësh këtë” e të kemi guximin për ta sfiduar, si i gërbuluri i djeshëm, si ky njeriu i sotëm, ky i paralizuari. Të lutemi me fe.

Të mos lutemi si papagalli

         Ungjilli pra, vijon reflektimin Françesku, na bën ta pyesim veten mbi mënyrën si lutemi. Të mos e bëjmë si “papagalli” e “pa interes”, por t’i përgjërohemi Zotit të na ndihmojë në vështirësi, pavarësisht nga feja jonë e paktë. Të shumta janë episodet ungjillore, në të cilat tregohet se është e vështirë t’i afrohesh Krishtit. I paralizuari, për shembull, kërkon ndihmën e të tjerëve për ta zbritur nga çatia, në mënyrë që barela e tij t’i afrohej Zotit, i cili po i predikonte një turme pa fund. Vullneti për ta arritur qëllimin të bën ta vrasësh mendjen e të gjesh zgjidhje, nënvizon Papa, të bën t’i kapërcesh vështirësitë:

         Guxim për të luftuar që të arrijmë te Zoti. Guxim për të pasur fe, që në fillim: “Nëse do, mund të më shërosh. Nëse do, unë besoj”. E guxim për t’iu afruar Zotit, edhe kur ka vështirësi. Duhet ai guxim… Shpesh, nevojitet durim e duhet pritur koha e përshtatshme, por mos u dorëzo, ec gjithnjë përpara. Ndodh që unë, me fe, i afrohem Zotit e i them: “Nëse ti do, mund të ma japësh këtë hir”, por pastaj… meqë pas tri ditësh hiri nuk ka ardhur akoma… e harroj krejt.

Nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë

         Shën Monika, nëna e Shën Augustinit, kujton Papa Françesku, u lut dhe derdhi shumë lot për kthimin e birit të vet, deri sa arriti ta fitonte këtë hir nga Zoti. Ati i Shenjtë fton të ndjekim shembullin e shenjtorëve, që patën guximin e fesë. Guxim “për ta sfiduar Zotin”, guxim “për të hyrë në lojë”, pavarësisht se nuk fitohet menjëherë çfarë kërkojmë, sepse në lutje, thekson Papa, “luhet fuqishëm”, me guxim e, “nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë”:

         Lutja e krishterë lind nga feja në Jezu Krishtin dhe ecën gjithnjë me fe, përtej vështirësive. Do të na ndihmojë, nëse mbajmë sot në zemër një frazë të atit tonë, Abrahamit, të cilit iu premtua një trashëgimtar, pra, në moshën 100-vjeçare iu tha se do të lindte një djalë. Pohon shën Pali apostull: “Besoni” e me këtë u shfajësua. Me fe “u vu për udhë”: me fe, duhet të bëj gjithçka për ta fituar atë hir, që po kërkoj. Zoti na ka thënë: “Kërkoni e do t’ju jepet”. Le ta marrim këtë Fjalë e të kemi besim, por gjithnjë me fe e në gjunjë.Ky është guximi i lutjes së krishterë. Nëse lutja nuk është e guximshme, nuk është e krishterë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.