Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Kujtohet imzot Mark Sopi, në 12-vjetorin e kalimit në amshim

Ipeshkvi i ndjerë i Kosovës, imzot Mark Sopi - RV

12/01/2018 10:27

U përkujtua dje në Klinë, ipeshkvi i ndjerë i Kosovës, Imzot Mark Sopi, i cili ka shërbyer, para se të merrte shugurimin ipeshkvnor, edhe në Shqipëri. Mesha e dritës, në 12-vjetorin e vdekjes, u kremtua nga dekani i Dekanatit të Pejës, don Lenc Sopi, famullitar i kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, në Klinë. Për më tepër, ju propozojmë këtë shkrim, dërguar redaksisë së gjuhës shqipe nga Lekë Mrijaj.

Prelati ynë i përndritshëm dhe i përhirshëm imz. Mark Sopi do të kujtohet përherë si një bari i ndritur i fesë dhe kombit. Ai tërë kohën sa jetoi ndoqi dhe interpretoi besnikërisht ungjijt apostolik e gjurmët e etërve të Kishës e paraardhësve të tij dhe të kombit. Imzot Marku, që nga shugurimi i tij si meshtar e më vonë si bari i devotshëm i grigjës së Ipeshkvisë së Kosovës, predikoi paqen e mirëkuptimin në mes njerëzve pa dallim, njëkohësisht vlerësoi tejet lart tolerancën e harmoninë, dhe praktikoi gjithmonë bashkëpunimin e frytshëm ndërfetar, në frymën e vëllazërimit të gjakut, si domosdoshmëri për të mbajtur gjallë e të fuqishme bazat e kombit tonë arbëror.

Andaj, më 11 Janar 2018, në Kishën e “Zojës së Këshillit të Mirë” në Klinë, u kremtua një shërbesë fetare e veçantë në përkujtim të përvjetorit të dymbëdhjetë të kalimit në amshim të ipeshkvit të dikurshëm të Kosovës, imz. Mark Sopit.  Mesha në fjalë është celebruar nga Dekani i Dekanatit të Pejës don Lenc Sopi, e famullitar i Kishës së Klinës, përcjellë nga besimtarët e famullisë sonë.

Këtij reportazhi nga terreni iu bashkangjitën edhe prof. Mikel Gojani, i cili në dymbëdhjetëvjetorin e kalimit në amshim të imz. Mark Sopit tha se: “Prelati ynë imz. Mark Sopi, i takon profilit të personaliteteve të shquara, emri i të cilit posa të zihet në gojë të kreshpëros në shtat, të drithëron në ndërgjegjje, të mbush me frymëzim. Me porosinë e veprat e tij të bën të kuptosh brendinë dhe qëllimin e gjithçkaje ia kushtoi jetën. Ky prelat ishte nismëtari i parë për ndërtimin e katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. Ai, bashkë më presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, bëri edhe bekimin e parë të kësaj Katedraleje, pra vuri gurin themeltar të këtij tempulli të fesë dhe të kombit”. Ish i burgosuri politik e publicisti z. Ismet Sopi, tha: “Imzot Mark Sopi, është një personalitet kombëtar dhe fetar, i cili vetëm disa muaj pas dëshmisë në Kongresin Amerikan, kaloi në amshim duke u bërë yll dhe diell, që ndriçon dhe ngroh mendjen dhe shpirtin tonë! Imzot, lutu për ne dhe popullin tonë, ashtu si lutemi edhe ne për Ty!” Ndërsa në fund ishte studiuesi e publicisti shqiptar z. Tomë Mrijaj, nga New York-u, i cili, në mes tjerash, tha: “Imzot Mark Sopi, që nga viti 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë, si ish-famullitar i Kishës së famullisë sime në Zllakuqan, e ngriti zërin në mbrojtje të minatorëve të Trepçës, priu shpirtërisht edhe në pajtimet e gjaqeve, gjatë viteve 1990, ishte bamirës dhe i dhembshur për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurtët, ngushëllues për të pikëlluarit, udhëheqës për të pavendosurit, me një fjalë vëlla apo gjithçka”. Edhe Famullia e Shën Mëhillit në Doblibarë të Gjakovës, e përkujtoi 12-vjetorin e  kalimit në amshim të Ipeshkvit të nderuar dhe të dashur, Imz. Mark Sopi, i cili shërbeu në krye të Kishës Katolike në Kosovë për 10 vite (1996-2006).

12/01/2018 10:27