2018-01-11 13:46:00

Fillon takimi vjetor i Koordinimit të ipeshkvijve për Tokën Shenjte


Nga data 13 deri më 18 janar, mbahet takimi vjetor i Koordinimit të ipeshkvijve për Tokën Shenjte. Përbërë nga prelatë të gjithë Evropës, të Amerikës së Veriut e të Afrikës së Jugut, Koordinimi është themeluar në vitet ’90 me ftesën e Selisë së Shenjtë, për të vizituar e mbështetur bashkësitë e krishtera lokale në rajon.

Këtë vit, 15 ipeshkvijtë pjesëmarrës do të mblidhen në Jeruzalem, mbrëmjen e 13 janarit, për t’u nisur menjëherë të nesërmen për në Rripin e Gazës, ku do të takohen me bashkësinë e vogël vendase. Tematikat e takimeve të ipeshkvijve do të përqendrohen kryesisht mbi botën e të rinjve, me vështirësitë e shpresat e jetës në Lindjen e Mesme. Delegacioni, në të cilin bën pjesë edhe një grup nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, udhëhequr nga Sekretari i përgjithshëm, imzot Duarte da Cunha, do të vizitojë disa shkolla në Beit Jala e në Beit Sahour e do të takohet me disa grupe studentësh universitarë të krishterë, hebrenj e myslimanë.

Mbledhje me disa diplomatë perëndimorë e vizitë në fshatin palestinez të Qubeibeh

 Në program edhe mbledhje me disa diplomatë perëndimorë e një vizitë në fshatin palestinez të Qubeibeh, i cili ndodhet në një lloj enklave, rrethuar me murin, që e ndan nga ngulimet dhe rrugët e rezervuara për izraelitët.

Koordinimi i ipeshkvijve për Tokën Shenjte bazohet në tri shtylla: lutja, shtegtimi e bindja. Çdo vit lutja e kremtimi i Eukaristisë, shpesh në rite të ndryshme, është sfondi në të cilin zhvillohen veprimtaritë me bashkësitë vendore. Shtegtimi është çast i rëndësishëm i takimit. Ipeshkvijtë shkojnë për të vizituar bashkësitë katolike, takohen me to dhe me autoritetet lokale, si edhe inkurajojnë shtegtimin e besimtarëve nga e gjithë bota në Tokën Shenjte. Ndërkaq, bindja ka të bëjë me punën pas takimit vjetor. Kur kthehen në vendet e tyre, ipeshkvijtë flasin me qeveritë, parlamentarët, ambasadorët izraelitë e palestienzë, si edhe me median për çështje, që kanë të bëjnë me jetën e të krishterëve, duke u përpjekur t’i bindin ata të veprojnë në favor të të krishterëve të Tokës Shenjte, për dinjitetin dhe të drejtat e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.