Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Udhëtime e vizita

Papa në Kili e në Peru. Konferencë e zëdhënësit, Greg Burke

Në pritje të takimit me Papën Françesku - REUTERS

11/01/2018 14:53

Papa Françesku niset të hënën, më 15 janar, në udhëtimin e tij të 22-të apostolik ndërkombëtar në Kili e në Peru. Etapat e vizitës së tij apostolike u shpjeguan në një konferencë për gazetarët, nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke. “Udhëtim nën shenjën e paqes, të bashkimit e të shpresës”, theksoi ai.

Përgatitjet e vullnetarëve

Ati i Shenjtë do të mbërrijë në Santiago të Kilit të hënën mbrëma me një avion Alitalia. Që nga e shtuna, rreth 8 mijë vullnetarët, që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e takimeve në Kili, do të marrin pjesë në meshën e fillimit, e cila do të shndërrohet në një çast feste, por edhe organizimi të vetë vullnetarëve. Me parrullën “Shërbimi im si vullnetar gjen forcë në Krishtin”, mesha do të kremtohet nga kryeipeshkvi i Santiagos së Kilit, kardinali Ricardo Ezzati. Po me meshë po përgatiten edhe vullnetarët e Temuco-s dhe të Iquique-s, etapat e tjera të shtegtimit të Papës në Kili.

Programi i vizitës në Kili

Gjatë ditëve kiliane, që do të përfundojnë më 18 janar, Françesku ka në program takimin me autoritetet vendore, meshën në Santiago për gjithë besimtarët, takimin me meshtarët e rregulltarët e pastaj, atë me ipeshkvijtë, por edhe vizitën tek të burgosurat e burgut të kryeqytetit, për të cilat Kisha lokale është impenjuar, duke u dhënë punë e formim për integrimin e tyre në shoqëri, kur të dalin nga burgu. Gjithashtu, Ati i Shenjtë do të përqafojë meshtarët e Shoqërisë së Jezusit dhe të rinjtë.

Pas Santiagos së Kilit, Temuco dhe Iquique

Papa Françesku do të shkojë në qytetin e Temuco-s, ku do të përballet me realitetin e indigjenëve e më pas, në veri, në Iquique, qytet ku janë të pranishme kombësi të ndryshme, për shkak të emigracionit të fuqishëm. Greg Burke sqaroi se pas meshës në Campus Lobito dhe para drekës në shtëpinë e etërve oblatë, Ati i Shenjtë do të takojë dy viktima të diktaturës së Augusto Pinoçetit të viteve ‘70, të cilët do t’i dorëzojnë një letër.

Mesazh i rëndësishëm ndërsa Papa kalon mbi Argjentinë

“Për detajet, le t’ia lëmë Papës – vërejti Burke. – Por në rrugën drejt Kilit, duhet kaluar mbi Argjentinë. Ati i Shenjtë do të çojë një mesazh: do të jetë një telegram i rëndësishëm”, nënvizoi zëdhënësi i Vatikanit, duke iu përgjigjur pyetjes pse Françesku nuk ka shkuar akoma në vendlindjen e tij. Pikërisht sot, u bë i njohur një mesazh i ipeshkvijve argjentinas, të cilët kërkojnë të mos instrumentalizohen fjalët e veprimet e Papës për qëllime politike apo për synime të tjera e, sidomos, askush të mos flasë në emër të Atit të Shenjtë. Papa Françesku, nënvizojnë ata, “shprehet përmes gjesteve dhe fjalëve të tij prej ati e bariu, si edhe përmes zëdhënësit të caktuar zyrtarisht prej tij. Askush nuk ka folur e nuk mund të flasë në emër të Papës”.

Ati i Shenjtë në Peru: hera e parë e një pape në Amazonë

Nga 18 deri më 22 janar, Papa Françesku do të jetë në Peru, pas qëndrimit në Kili. Aty do të vizitojë kryeqytetin e vendit, Lima, djep i shenjtorëve peruvianë, por do të shkojë edhe në Puerto Maldonado, zgjedhur si simbol i Amazonës, ku është hera e parë që shkel një papë. Vizita e Papës në Amazonë, të premten, më 19 janar, vuri në pah Greg Burke, bëhet nën shenjën e ekologjisë. “Me atë rast, do të shpërndahet enciklika ‘Laudato si’’, kushtuar kujdesit për Gjithësinë, në gjuhë të ndryshme lokale”. Gjithashtu, Ati i Shenjtë do të shtegtojë në Trujillo, një nga zonat më të dëmtuara nga fenomeni i uraganit Ninjo Kostero, i cili nga janari e deri në prillin e vitit të kaluar, shkaktoi vdekjen e më se 160 vetëve.      

Në vitin 2018, vizita të mundshme në Irlandë dhe në Vendet Balltike

I pyetur për vizitat e tjera të mundshme të Papës Françesku gjatë vitit 2018, Greg Burke sqaroi se do të ketë njoftime më zyrtare brenda shkurtit. “Papa dëshiron të shkojë në Irlandë – vërejti zëdhënësi. – Është në studim e sipër edhe një udhëtim në Vendet Balltike”. Nëse miratohet, udhëtimi në Irlandë do të bëhet në gusht, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve, në program në Dublin, nga 21 deri më 26 të atij muaji.

11/01/2018 14:53