2018-01-11 09:30:00

Kard. Parolin: 2018-a e Papës Françesku nën shenjën e të rinjve dhe të familjes


Udhëtimi apostolik në Kili e në Peru, Sinodi për të rinjtë, Takimi botëror i Familjeve në Dublin e, akoma, debati në botën katolike për “Amoris laetitia” dhe reforma në Kurien Romake. Këto janë temat kryesore të intervistës eskluzive të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, për Vatican News. Në mikrofonin tonë, kardinali ndalet mbi shpresat e mëdha që Kisha ka tek të rinjtë, në vitin e Sinodit kushtuar atyre, i cili do të mbahet në tetor, paraprirë nga një pre-Sinod në mars:

         Sigurisht, ky vit – viti 2018 – do të karakterizohet nga një përqendrim i veçantë i vëmendjes së Kishës në të gjitha nivelet mbi të rinjtë, pra, mbi aspiratat e tyre, mbi sfidat, që duhet të përballojnë e, edhe mbi shpresat që kanë, së bashku me dobësitë dhe frikën që ndjejnë. Pra, do të jetë një vit i rëndësishëm: Papa e kujtoi këtë në fjalimet e kohëve të fundit, gjatë periudhës së Krishtlindjes. Besoj se risia qëndron në kërkimin e marrëdhënieve të reja ndërmjet Kishës dhe të rinjve, të cilat duhet të mbajnë gjurmën e përgjegjësisë, larg çdo paternalizmi. Kisha dëshiron të hyjë vërtet në dialog me realitetin rinor, dëshiron t’i kuptojë të rinjtë e t’i ndihmojë ata. Njëkohësisht, dua të përmend fjalimin e famshëm të Xhon Kenedit, i cili, kur u ul në zyrën e tij në vitin e largët 1961, tha: “Nuk duhet të pyesni çfarë duhet të bëjë vendi për ju, por çfarë mund e duhet të bëni ju për vendin”. Në fund të fundit, kjo besoj se është risia: Kisha, Papa, u kërkojnë të rinjve çfarë mund të bëjnë ata për Kishën, cili është kontributi që mund të japin për Ungjillin, për përhapjen e tij, sot. Besoj se të rinjtë do të dinë t’i përgjigjen kësaj ftese me bujarinë, por edhe me entuziazmin e tyre.

Pyetje: Të rinjtë të bëjnë të mendosh edhe për familjen. Në gusht, në Dublin, do të mbahet Takimi botëror i Familjeve, dy vjet pas publikimit të Nxitjes apostolike “Amoris laetitia”. Sipas jush, cili është bilanci i parë i zbatimit të këtij dokumenti e pse ka zgjuar një debat kaq të ndezur, edhe në botën katolike?

Është e qartë se Kisha, pas dy Sinodeve e pas publikimit të Nxitjes apostolike “Amoris laetitia” u vu për udhë në drejtimin e përcaktuar prej saj. E sigurisht, edhe Dita botërore e Familjes, në Dublin, do të jetë një etapë e rëndësishme mendoj, sepse është e para pas publikimit të dokumentit. Etapë reflektimi, etapë thellimi dhe etapë, që çon përpara procesin e zbatimit të këshillave të “Amoris laetitia”. Edhe këtu do të përdor të njëjtin term si më parë: është fjala për një paradigmë të re, që Papa Françesku po e shtjellon me urti, kujdes e, edhe me durim. Ndoshta, vështirësitë që lindën dhe ekzistojnë akoma në Kishë, përveçse disa aspekteve të përmbajtjes, varen pikërisht nga ky ndryshim qëndrimi, që na kërkon Papa. Na kërkohet ndryshim paradigme – po ngul këmbë në këtë: kjo frymë e re, kjo qasje e re! Çdo ndryshim sjell me vete vështirësi, por ato duhen përballuar me impenjim, për të gjetur përgjigjet, që kthehen në çaste zhvillimi e thellimi të mëtejshëm. Besoj se “Amoris laetitia”, përveçse një përqafim i Kishës për familjen dhe për problematikat e saj në botën e sotme, për ta ndihmuar të mishërojë vërtet Ungjillin – sepse familja është Ungjill: Ungjilli i familjes – njëkohësisht, është edhe kërkesë për ndihmë drejtuar familjeve që të bashkëpunojnë e të kontribuojnë në zhvillimin e Kishës.

Pyetje: Hirësi, në mars kremtohet 5-vjetori i papnisë së Françeskut. Një nga shtyllat e saj është procesi i reformave, nga Kuria tek të tjerat. Si do të vijojë ky proces në të ardhmen, sipas jush?

Natyrisht, janë bërë tashmë hapa të rëndësishme përpara. Që vitin e kaluar, në fjalën e tij për Kurien Romake, Papa rreshtoi të gjitha masat e marra pas studimit, sidomos nga ana e Këshillit të Kardinajve, C9. Më duket se në fjalim – siç vërehet vazhdimisht në Magjisterin e Papës Françesku, kur flitet për Kurien – nuk ngulet këmbë aq në reformat strukturore, në miratimin e ligjeve të reja, në normativa, emërime etj., se sa në frymën më të thellë, që duhet t’u japë jetë reformave të Kuries e që është përmasa themelore e jetës së krishterë, pra, në kthimin e zemrave. Gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë, duke larguar hijet, që mund ta pengojnë këtë impenjim e këtë mision, duhet ta kthejmë Kurien në ndihmë të vërtetë për Papën në shpalljen e Ungjillit, në dëshminë e Ungjillit për botën e sotme. Unë do të ngulja këmbë në këtë, megjithëse është një këndvështrim bazë e nuk ndalet në reformat e veçanta e konkrete apo në ndryshimet e veçanta, të cilat, gjithsesi, janë bërë e do të vazhdojnë. Po vijojnë reflektimet për organizmat e tjera të Kuries Romake, por kjo është perspektiva themelore, në të cilën na fton Papa.

Pyetje: Viti 2018, që sapo ka filluar, do të jetë edhe një vit me udhëtime apostolike për Papën Françesku. Pas pak ditësh, Ati i Shenjtë kthehet në Amerikën Latine. Sipas jush, cili është kuptimi më i rëndësishëm i vizitës në Kili e në Peru?

Është gjithnjë takimi me Kishat, është gjithnjë takimi me bashkësinë e krishterë. Papa shkon si bari i Kishës universale për të takuar Kishat lokale; janë Kisha veçanërisht të gjalla, veçanërisht aktive, si në Kili, ashtu edhe në Peru, që përballojnë shumë sfida në botën e sotme. Po përmend dy, në veçanti, që i ka shumë për zemër Papa. E para është sfida e popullsisë indigjene: e këtu i referohem edhe Sinodit për Amazonën, që është thirrur nga Papa e do të mbahet në vitin 2019. Cili është roli, cili është kontributi i këtyre popullsive në vendet e në shoqëritë e tyre? Pastaj, një temë, që Papa e ndjen fort e për të cilën ka folur shumë, është ajo e korrupsionit, i cili pengon zhvillimin dhe kapërcimin e varfërisë e të mjerimit. Mendoj se do të jetë një udhëtim jo i lehtë, por sigurisht, do të jetë një udhëtim emocionues.








All the contents on this site are copyrighted ©.