2018-01-10 16:00:00

Të krishterët e persekutuar: 215 milion. Rritet radikalizmi islamik dhe hinduist


Më se 215 milion të krishterë persekutohen në botë, sipas organizatës ndërkombëtare “Dyer të hapura” (Open Doors), e cila, çdo vit, harton listën “e zezë” të 50 vendeve, ku të krishterët shtypen, diskriminohen, bëhen objekt abuzimesh, kushtëzohen në jetën e tyre private dhe publike, persekutohen e deri vriten, për shkak të fesë.

Më se 3 mijë martirë për fenë

         “Numri i besimtarëve të persekutuar është në rritje – nënvizon me shqetësim drejtori i degës italiane të organizatës ‘Dyer të hapura’, Cristian Nani. – Një, çdo 12 të krishterë në botë, është viktimë e dhunës, ose e abuzimeve. Më se 15.500 kisha, shtëpi, dyqane të të krishterëve janë sulmuar në periudhën ndërmjet nëntorit 2016 e tetorit 2017, marrë në shqyrtim nga raporti, për të cilin janë analizuar 100 shtete”.

         Në krye të listës së persekutuesve, Koreja e Veriut, Afganistani, Somalia, por primatin e trishtë të kombit me pikët më të larta për dhunën kundër të krishterëve e mban Pakistani.

        “Në krahasim me vitin e kaluar – sqaron Nani – janë më se dyfishuar martirët e krishterë, pra, ata njerëz - burra, gra e, edhe fëmijë – që janë vrarë, vetëm sepse ishin të krishterë. Nuk po flasim për të krishterë të vdekur në luftra civile, apo nën bombardime, siç ndodh në Lindjen e Mesme. Është fjala për 3.066 vetë, vrarë me paramendim, sepse ishin të krishterë. Kjo duhet nënvizuar, pasi jep një ide për ndikimin e persekutimit kundër të krishterëve në botë”.

Persekutimi i islamikëve dhe nacionalizmat hinduiste e budiste

         “Burimi kryesor i persekutimeve – vijon drejtori i organizatës “Dyer të hapura” – mbetet ai islamik, që po shtrihet në zona të ndryshme. Ky persekutim përfshin, por shkon edhe përtej ekstremizmit islamik, pra, është një koncept më i gjerë, që ka të bëjë me gjithë ligjet shoqërore, ose me ato të lidhura me një komb mysliman, për të cilat të krishterët vuajnë, ose kufizohen në ndonjë mënyrë në ushtrimin e të drejtave të tyre themelore”.

         Në raport përvijohen disa prirje: radikalizimi i zonave të dominuara nga islamizmi, në Afrikën lindore, perëndimore e veriore, si edhe në botën aziatike jo arabe; ndeshjet ndërmjet shiitëve dhe sunitëve, që gjejnë terren më tepër në Azi; shtrirja islamike në zona me shumicë jo myslimane, sidomos në Afrikën subsahariane dhe në Indonezi, Malezi e Brunei; praktika e ‘spastrimit etnik’ sipas përkatësisë fetare, në rritje në Kenia, Nigeri, Somali dhe Sudan.

         “Pastaj, kemi një lloj persekutimi në shtim të vazhdueshëm – thekson Nani. – Është ‘nacionalizmi fetar’, që dëshiron t’ia nënshtrojë krejt kombin një feje të vetme. Shembulli më i dukshëm është ai i Indisë, ku po shkallëzohet intoleranca ndaj të krishterëve, për shkak të radikalizmit hinduist, që e bashkon përkatësinë kombëtare me atë fetare: pra, për të qenë indian, duhet të jesh hinduist. Prandaj, besimtarët e feve të tjera kufizohen e shtypen, duke kaluar kështu në gjendjen e tanishme në Indi, ku kemi sulme, rrëmbime e madje, edhe disa vrasje”.

         Përveç Indisë, nacionalizmi fetar po rritet edhe në Nepal e në botën budiste, si në Sri Lankë, Butan e Mianmar. Këtij i shtohet edhe nacionalizmi ideologjik, shpesh i lidhur me komunizmin, si në Kinë, Vietnam dhe Laos.

Paranoja diktatoriale

         “Në krye të listës, gjithsesi, është që prej 16 vjetësh, Koreja e Veriut, ku persekutimi varet nga ‘paranoja diktatoriale’ e regjimit të Kim Jong-un – shpjegon Cristian Nani – për të cilin flitet shpesh në media, kohët e fundit. Është diktator, që ka një lloj urtikarie për besimin e krishterë, të cilin e konsideron kërcënim, ndoshta sepse e sheh të lidhur me botën perëndimore. Regjimi e konsideron krishterimin si fe të perëndimit, të lidhur me botën amerikane, prandaj e quan kërcënim të imperializmit amerikan”.








All the contents on this site are copyrighted ©.