Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në audiencën e përgjithshme: heshtja para lutjes, e nevojshme në meshë

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - AP

10/01/2018 13:30

Heshtja në meshë nuk është vetëm mungesë fjalësh, por na lejon të dëgjojmë disa zëra, si atë të zemrës e, sidomos, zërin e Shpirtit Shenjt. E heshtja, që i paraprin lutjes, “na ndihmon ta përgatisim shpirtin e të mendojmë pse jemi aty”. Për këtë arsye, në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, në Vatikan, Papa Françesku i këshillon meshtarët ta respektojnë atë çast heshtjeje e të mos ecin përpara me ngut.

“Lavdi”, kumt i përqafimit ndërmjet qiellit e tokës

         Në Sallën Pali VI, para më se 8 mijë shtegtarëve nga e gjithë bota, Papa shpjegon kuptimin e himnit, që i këndon “Lavdi Zotit në lartësitë qiellore”, si edhe të lutjes që e pason. Nënvizon se “nga takimi ndërmjet mjerimit njerëzor dhe mëshirës hyjnore” në punën e pendimit, analizuar të mërkurën e kaluar, “merr jetë mirënjohja e shprehur në ‘Gloria’”. E kujton se fillimi i himnit, “Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore”, është marrë nga kënga e engjëjve në Betlehem, kur lindi Jezu Krishti, që s’është tjetër, veçse “përqafim i gëzueshëm ndërmjet qiellit e tokës”.

Heshtja, para lutjes në fund të “Lavdit”

         Pas himnit me të cilin i thurim lavde Hyjit të Gjithpushtetshëm, himn që nuk thuhet gjithmonë, lutja merr një formë të caktuar, që në latinisht quhet “collecta” e që ndryshon në varësi të ditës e të kohës së vitit. Me ftesën “Të lutemi”, shpjegon Françesku, “meshtari e nxit popullin të mblidhet me të në një çast heshtjeje”, për “ta kuptuar se është në praninë e Zotit” e për të menduar mbi ndjetet personale, me të cilat merr pjesë në meshë.

         Meshtari thotë ‘të lutemi’ e, pastaj, vjen një çast heshtjeje, gjatë të cilit secili mendon për nevojat e veta, për çka dëshiron të kërkojë përmes lutjes.

Në heshtje, për t’ia hapur shpirtin Zotit

         Prandaj, heshtja, nuk është thjesht “mungesë fjalësh, por përgatitje e shpirtit për të dëgjuar zëra të tjerë: atë të zemrës e, sidomos, zërin e Shpirtit Shenjt”. Në liturgjinë eukaristike, kujton Papa, duke përmendur Rendin e përgjithshëm të Mesharit Romak, heshtja në punën e pendimit e pastaj, ftesa për t’u lutur, “ndihmon në përgatitje”; pas Leximeve liturgjike, ose pas homelisë “është thirrje për të medituar shkurtimisht çfarë dëgjuam”; pas Kungimit “favorizon lutjen e brendshme të lavdit e të përgjërimit”. Para lutjes fillestare, vijon Ati i Shenjtë, “heshtja na ndihmon të përgatisim shpirtin e të mendojmë pse jemi aty”:

         Ja atëherë, rëndësia e dëgjimit të shpirtit tonë, për t’ia hapur pastaj atë Zotit. Ndoshta, vijmë nga ditë të lodhshme, të gëzueshme, të dhimbshme e, duam t’ia themi Hyjit, t’i lutemi për ndihmë, t’i kërkojmë të na qëndrojë afër; kemi familjarë e miq të sëmurë, ose që kalojnë sprova të vështira; dëshirojmë t’ia besojmë Zotit fatet e Kishës e të botës.

Meshtari shpreh lutjet e të gjithëve

         Pas heshtjes, meshtari, duke mbledhur ndjetet e secilit, i shpreh me zë të lartë Zotit, në emër të të gjithëve, lutjen e përbashkët, “duke bërë kështu ‘collecta’-n, apo grumbullimin e ndjeteve të veçanta”.

         I këshilloj me forcë meshtarët ta respektojnë këtë çast heshtjeje e të mos vijojnë me ngut. ‘Të lutemi’ e pastaj, heshtje. Ua këshilloj këtë meshtarëve. Pa këtë heshtje, ka rrezik ta lëmë mënjanë përgatitjen e shpirtit.

Tekstet e uratave, shkollë e vërtetë lutjeje

         Meshtari, përfundon Papa Françesku, e thotë këtë uratë me krahë hapur, sepse kështu lutemi, me krahë hapur”. Është qëndrimi i atij që lutet, ashtu siç bënin të krishterët që nga shekujt e parë të krishterimit, “për të imituar Krishtin me krahët e hapura mbi Kryq”. Krishti është “Ai që lutet e njëkohësisht, edhe lutja”, vëren Ati i Shenjtë.

         Në Ritin Romak, lutjet janë të shkurtra, por të pasura me domethënie: mund të bëhen shumë meditime të bukura mbi këto urata. Shumë të bukura! T’u kthehemi e të meditojmë mbi tekstet edhe jashtë meshës, sepse mund të na ndihmojnë për të mësuar si t’i drejtohemi Zotit, çfarë t’i kërkojmë, cilat fjalë të përdorim. Liturgjia u bëftë për të gjithë ne, shkollë e vërtetë lutjeje.

10/01/2018 13:30