Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Vatican News kapërcen 4 milion ndjekës në rrjetet shoqërore

Rrjetet shoqërore papnore - RV

09/01/2018 14:17

Bashkësi, që e kapërcen shifrën prej 4 milion ndjekësish në Facebook, Twitter, YouTube dhe Instagram. Ky është rezultati i riorganizimit të rrjeteve shoqërore nga Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Komunikimin, bashkuar nën logon “Vatican News” e në faqen e re të internetit “vaticannews.va”, që u bë e njohur para pak javësh.

Faqja globale në Facebook kapërcen 3 milion ndjekës

         Në veçanti, informon një komunikatë e dikasterit, organizimi i një Faqeje Globale në Facebook dha mundësinë për të bashkuar më se 3 milion ndjekësit, të cilët mund të lexojnë faqe në gjashtë gjuhë kryesore: italisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe portugalisht. Përsa i përket Twitter-it, vijon nota, gjashtë faqet gjuhësore @vaticannews janë bërë menjëherë të njohura, duke kapërcyer fragmentimin e së kaluarës. Këtyre, u duhet shtuar edhe faqja e re @radiovaticanaitalia, me karakter informativ për veprimtarinë e kanalit Radio Vaticana Italia në italisht, si edhe profili shumëgjuhësh Vatican News në Instagram. Tri platformave “social” u shtohet edhe kanali YouTube në gjashtë gjuhë, edhe ai i Vatican News, që ofron video sipas kërkesave (on demand) për veprimtarinë e Papës.

Imzot Viganò: të vihet njeriu në qendër të rrjeteve shoqërore

         Prefekti i Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, deklaron se “përforcimi i pranisë sonë në rrjetet shoqërore përbën një nga pasojat e procesit të madh reformativ të mediave vatikanase. E është, natyrisht, një pasojë pozitive, arritur përmes impenjimit intensiv të gazetarëve dhe të teknikëve tanë”.

         “Si veprimtarë të komunikimit, sipas logjikës së Kishës në dalje – nënvizon imzot Viganò – të gjithë jemi të thirrur të qëndrojmë ndërmjet njerëzve. Sot, kjo do të thotë të jemi në rrjetet shoqërore e në internet me bindje e përgjegjësi. Prandaj, duhet të jetë më se e qartë perspektiva jonë, e cila kërkon të përqendrohemi mbi njeriun, marrëdhëniet, kulturën e takimit e, vetëm në rend të fundit, mbi teknologjinë”. Në këtë rrjedhë do të bëjë pjesë me kohë edhe programi shqip, i cili, tani për tani, ashtu si edhe më se 35 gjuhë të tjera të Radio Vatikanit, vijon të publikojë në faqen e vjetër të internetit “radiovaticana.va” nga ku, për gjashtë gjuhët kryesore mund të ridrejtoheni në faqen e re “vaticannews.va”.

Faqet papnore në Twitter e në Instagram arrijnë 50 milion ndjekës

         Mediat shoqërore të Vatican News koordinohen nga Drejtoria Editoriale dhe nga ajo teologjiko-Baritore e Sekretarisë për Komunikimin. Një skuadre të kësaj Sekretarie, në bashkëpunim me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, i janë besuar faqet e Papës në rrjetet shoqërore: @Pontifex në Twitter (mëse 44 milion ndjekës në 9 gjuhë) dhe @Franciscus në Instagram (mëse 5 milion ndjekës në një kanal të vetëm shumëgjuhësh). 

09/01/2018 14:17