2018-01-09 13:45:00

Nigeri: u liruan pas 53 ditësh, gjashtë murgesha të rrëmbyera në nëntor


Pas 53 ditësh, gjatë të cilave u mbajtën peng, më në fund, u liruan gjashtë rregulltaret (tri murgesha dhe tri rishtare), rrëmbyer në Nigeri më 14 nëntorin e kaluar, nga kuvendi i tyre në Iguoriakhi. Lirimi i tyre u njoftua nga Fondacioni “Missio”, me një notë të publikuar në faqen e internetit, me të cilën shpjegohet se njëra nga motrat, Veronica Ajayi, është liruar të shtunën, më 6 janar, në mbrëmje, ndërsa të tjerat, ditën e mëpasme. “Të gjitha – shpjegohet në notën e ripublikuar nga agjencia katolike Sir – janë kthyer në dioqezën e tyre, në kuvendin e Zemrës Eukaristike të Jezusit e, asnjëra nuk ka shenja dhune, sipas fjalëve të eprores së përgjithshme, Agatha Osarekhoe”.

U dëgjua thirrja e Papës

         Me thirrjen për lirimin e tyre u bashkua edhe Papa Françesku, i cili, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 17 dhjetor, pati thënë: “Bashkohem me gjithë zemër me thirrjen e ipeshkvijve të Nigerisë për lirimin e gjashtë murgeshave të Zemrës Eukaristike të Krishtit, rrëmbyer para një muaji në kuvendin e tyre në Iguoriakhi. Lutem me gjithë shpirt për to e për të gjithë njerëzit, që ndodhen në këtë gjendje të dhimbshme: me rastin e Krishtlindjes, dhashtë Zoti të kthehen më në fund në shtëpitë e tyre”.

Akoma e paqartë, arsyeja e rrëmbimit

         Nuk është e qartë nëse është paguar ndonjë shpërblim e nuk dihen akoma arsyet e rrëmbimit. “Dimë – përfundon nota e Fondacionit ‘Missio’ – se murgeshat e Zemrës Eukaristike të Jezusit, si motër Fidelia Alao, bëjnë pjesë në rrjetin global të rregulltareve, që, ndër të tjera, luftojnë kundër trafikut të grave dhe skllavërimit të tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.