Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: përbuzja për më të ligshtin, vepër e Shejtanit

Papa kremton Meshën në Shën Martë

08/01/2018 13:51

Ç’gjë kemi në shpirt, që na shtyn të tallemi me më të ligshtit? Françesku e bëri këtë pyetje, duke komentuar, në Meshën e mëngjesit, episodet e shumta nga Bibla, në të cilat më i forti e përbuz më të dobtin. Pas kësaj sjelljeje fshihet Shejtani - tha Papa - sepse ai nuk di ç’është dhembshuria.

Ishte Leximi I ai, që FRançesku e zgjodhi sot për ta komentuar gjatë homelisë, në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shën Martë. I shkëputur nga Libri i Samuelit, tregon  historinë e prindërve të profetit, Elkanà e Anna. Elkanà kishte dy gra: Anna ishte beronjë, tjetra, Peninnà, kishte një radhë fëmijë. Peninnà, në vend që ta ngushëllonte Annën, gjuante gjithnjë rastin për ta poshtëruar e për ta marrë poshtërsisht nëpër këmbë, duke i kujtuar tash e parë se ishte barkthatë.

Në Bibël ndeshemi me një mori historish, në të cilat përbuzet më i ligshti

Edhe në faqe të tjera të Biblës ndodh e njëjta gjë. Papa kujtoi, më pas, çka i ndodhi grave të Abrahamit: Agarit pjellore e Sarës beronjë. Po dëshirën për t’u tallur e për ta përbuzur më të dobtin e gjejmë edhe në radhët e burrave, gjatë rrëfimeve biblike - kujtoi Françsku. E, në vijim, kujtoi rastin e Golisë përballë Davidit, e akoma, gruan e Jobit, ose atë të Tobisë, që i përbuzin burrat e tyre pikërisht atëherë, kur vuajnë më shumë e kërkojnë edhe më shumë ngushëllim.

Lind pyetja: ç’kanë vallë në shpirt këta njerëz? Çfarë ka në shpirtin tonë, që na shtyn të përbuzim, të poshtërojmë, të keqtrajtojmë, të tallemi me njerëzit më të ligësht? Të cilët nuk mund të mbrohen? Mund të kuptohet, kur ndokush kapet fyt a fyt me një tjetër, me më të fortin: mund ta shtyjë zilia, që të çon rrugë pa rrugë… Po me më të ligshtin? Ç’kemi vallë në shpirt, që na çon deri në këtë pikë? Deri atje, sa të na bëhet zakon, si të ishte e nevojshme ta përbuzësh tjetrin, për ta ndjerë veten më të sigurt. Bëhet nevojë…

Mizori edhe ndërmjet fëmijëve: një kujtim nga fëmijëria

Edhe ndërmjet fëmijëve ndodh kjo - pohoi Papa - e në vijim solli një kujtim  nga koha kur edhe ai vetë ishte fëmijë i vogël: në lagjen e tij jetonte një grua, Angiolina, e sëmurë mendërisht, që sillej e përsillej rrugash gjithë ditën e lume. Gratë i jipnin ndonjë gjë për të ngrënë, ndonjë rrobë të përdorur, po fëmijët, sa e shihnin, nisnin të talleshin me të. E thonin: “Ejani të kërkojmë Angiolinën e të zbavitemi paksa”. “Ç’ligësi, deri në zemër të fëmijëve - komentoi Françesku - të zbavitesh, duke u tallur me më të ligshtin!”.

E këtë sot e shikojmë vazhdimisht në shkollat, me fenomenin e bullying, bulizmit, që të shtyn t’i sulesh tjetrin, ta tallësh pse është i shëndoshë, pse është i huaj, ose i zi. Vetëm për këtë. T’i sulesh. .. fëmijë… adoleshentë… të rinj.. Jo vetëm Penninà apo Agar a gratë e Tobisë e të Jobit: edhe fëmijët. E kjo do të thotë se kemi diçka në shpirt, që na shtyn të bëjmë gjithë këtë ligësi. Ta sulmojmë të ligshtin. E unë besoj  të jetë gjurmë e mëkatit të rrjedhshëm.

Pse ta asgjësosh tjetrin? Është vepra e djallit!

Ndoshta psikologët - pohoi Papa - do t’i japin ndonjë shpjegim kësaj dëshire për ta zhbërë tjetrin, sepse është i ligësht, por unë them se kjo është vragë e mëkatit të rrjedhshëm. Është vepra e vetë Shejtanit. Sepse Djalli nuk ka dhimbë as mëshirë!

E kështu, kur kemi dëshirë të bëjmë ndonjë vepër të mirë, vepër dashurie së krishterë, themi: “Është Shpirti Shenjt, që më frymëzon ta bëj këtë”. Po kur kujtohemi se kemi në shpirt dëshirën për ta sulmuar tjetrin, sepse është i ligshtë, nuk duhet vënë aspak në dyshim: është djalli aty… Sepse kjo është vepra e djallit, të sulmosh të dobtin”:

“T’i kërkojmë Zotit - përfundoi Françesku - të na japë hirin e mëshirës, të dhembshurisë: kjo vjen nga Zoti. Ai është plot me dhimbë e mëshirë, ka mëshirë për ne e na ndihmon të vijojmë rrugën e jetës, duke bërë gjithnjë mirë”.

08/01/2018 13:51