2018-01-08 01:00:00

Me 8 janar kalendari kishtar përkujton Shën Severinin abat.


Me 8 janar kalendari kishtar përkujton Shën Severinin abat. Në shekullin V, pas sulmeve të pandërprera të pushtuesve vizigotë, ostrogotë, vandalë, svevë, burgundë, frankë perandoria romake e Perëndimit u shemb. Ndërsa mbretëronte atmosfera e shkatërrimit të përgjithshëm, Kisha katolike mbetej e vetmja pikë referimi për mbijetesën e njerëzve të tmerruar. Në këto rrethana historike kreu misionin e tij Shën Severini, Apostull i Norikut.

I lindur në gjirin e një familjeje fisnike romake rreth vitit 410, pasi jetoi në Lindje, rreth vitit 454 u vendos pranë Danubit, në kufirin ndërmjet Norikut e Panonisë, ku ngriti shumë kuvende për të strehuar popullsitë e kërcënuara nga sulmet barbare si dhe për të vijuar rrezatimin e mësimeve të Ungjillit në gjirin e popullsive të reja. Nisi kështu jetën kundruese, eremitike dhe misionare duke hyrë në lidhje të drejtpëdrejtë me popullsitë barbare, në përpjekjen për t’u ndriçuar mendjet e për të përtrirë shoqërinë romake në rënie, permes shkrirjes së forcave të vjetra me ato të reja.
Me guxim të pashoq, që çuditi deri luftëtarët më të vrazhdë, arriti në Komagjene, që ishte ndër duart e armiqëve. E me bamirësinë, dashurinë dhe kujdesin e tij të jashtzakonshëm për nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht zemrat e thjeshta të barbarëve, duke filluar nga krerët e tyre, të cilët nisën ta dëgjonin plot respekt çdo fjalë të Shenjtit e të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje të madhe, si të ishte lajmëtar qiellor. E nuk munguan edhe shenjat që vinin nga qielli, për të vërtetuar parafoljet e tij.
I nderuar dhe i dashur si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe nga mbretërit e nga luftëtarët, ai jetoi varfërisht, pa kërkuar kurrë përfitime materiale. Vishej njëlloj verë-dimër, flinte pak orë i shtrirë përdhe, me ijet e ngjeshura në grathore; në kohën e Kreshmëve hante vetëm një herë në javë. Vdiq më 8 janar të viti 482. Reliket e tij nderohen në Fratamagjore, pranë Napolit.








All the contents on this site are copyrighted ©.