2018-01-08 13:01:00

Kalendari i kremtimeve janar-shkurt, kryesuar nga Papa Françesku


U bë i njohur kalendari i kremtimeve, që do të kryesohen nga Papa Françesku gjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2018. Natyrisht, në të nuk janë përfshirë udhëtimet apostolike të Atit të Shenjtë. Kujtojmë se viti fillon pikërisht me vizitën në Kili e në Peru, javën e ardhshme. Sapo të kthehet, të enjten, më 25 janar, Papa do të kremtojë Mbrëmësoren e orës 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Solemnitetin e Kthimit të Shën Palit. Është java e lutjes për bashkimin e gjithë të krishterëve.

         Më 28 janar, ditë e diel, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën, në orën 9.00, në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, me rastin e festës së mbartjes së ikonës Salus Populi Romani (Shpëtimit i popullit romak).

         Të premten, më 2 shkurt, Papa Françesku do ta kremtojë meshën së bashku me rregulltarët e rregulltaret, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 17.30, në Festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull. Njëkohësisht, ajo është edhe Dita XXII Botërore e Jetës së Shuguruar.

         Më 14 shkurt, të Mërkurën e Përhime, Ati i Shenjtë do të kremtojë “Statio”-n dhe procesionin pendestar në Kishën e Shën Anselmit në Aventin të Romës, në orën 16.30. Ndërsa në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Sabinës, do të kryesojë meshën, gjatë së cilës do të bekojë hirin, me të cilën do të bëhet përhimja e besimtarëve.

         Të dielën e parë të Krezhmëve, më 18 shkurt, Papa Françesku do të shkojë, si çdo vit, në Ariccia, pranë Romës, për fillimin e ushtrimeve shpirtërore së bashku me Kurien Romake. Ato do të përfundojnë të premten, më 23 shkurt.








All the contents on this site are copyrighted ©.