2018-01-07 13:51:00

Papa pagëzon 34 fëmijë: prindër flisni “dialektin e dashurisë” për t’ua transmetuar fenë


Shenja e Kryqit mbi ballë vulosi sot paradite Pagëzimin, që Papa Françesku u dha 34 fëmijëve, në kornizën mahnitëse të Kapelës Sikstine, gjatë meshës në festën e Pagëzimit të Zotit, me të cilën përfundon Koha e Krishtlindjes, në të dielën e parë pas Dëftimit të Zotit. Një rit tradicional, kryesuar nga Ati i Shenjtë, në përkujtim të pagëzimit të Krishtit nga shën Gjoni, në lumin Jordan.

18 vajza e 16 djem: emrat e tyre jehuan sot nën kupolën e pikturuar nga Mikelanxhelo. Ju, u tha Papa prindërve, i keni sjellë për t’u pagëzuar e “ky është hapi i parë në detyrën” e transmetimit të fesë. Por, nuk mjafton:

“Ne kemi nevojë për Shpirtin Shenjt që të transmetojmë fenë, vetëm nuk mundemi. Mundësia për të transmetuar fenë është hir i Shpirtit Shenjt”.

Ta transmetojmë fenë duke folur “dialektin e dashurisë”

Prandaj i keni sjellë këtu fëmijët, shpjegoi Françesku, që të marrin në shpirt Trininë Shenjte, e cila, tani e tutje, do të banojë në zemrat e tyre. Pastaj, këshilla për ta transmetuar fenë “në dialektin e familjes… të nënës e të babait, të gjyshit e të gjyshes”. “Dialekt” i domosdoshëm, theksoi Papa:

“Nëse në shtëpi, prindërit nuk e flasin atë gjuhë dashurie, transmetimi [i fesë] nuk është kaq i lehtë, nuk mund të realizohet. Mos harroni”.

Dëgjojeni “dialektin e fëmijëve”

Më pas, do të vijnë katekistët, që do të thellohen më tej në shpjegimin e fesë, vërejti Ati i Shenjtë, por do të bazohen gjithnjë në idetë e para e në shembullin e dhënë nga prindërit. Papa i këshilloi të pranishmit të dëgjojnë një dialekt tjetër, atë të fëmijëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund t’u flasin si duhet për fenë. E kështu pati bërë edhe Jezusi, i cili, nënvizoi Françesku, “na këshillon të jemi si ata, të flasim me ta”:

“Ne nuk duhet ta harrojmë gjuhën e fëmijëve, që flasin si munden, por është gjuha, që i pëlqen më shumë Jezusit. Edhe në lutje, jini të thjeshtë si ata, thuajini Jezusit ç’ndjeni në zemër, ashtu si e thonë ata”.

Kujdesi i Papës Françesku për fëmijët

 Së fundi, kujdesi i Françeskut për fëmijët dhe nevojat e tyre, para së të vijonte meshën, pas homelisë. Gjithnjë me shaka, Papa:

“Nëse ia fillojnë koncertit, do të thotë se nuk janë rehat, ose kanë tepër nxehtë, ose nuk ndihen mirë, ose kanë uri… Nëse kanë uri, jepuni të pinë gji, eh! Pa frikë, jepuni të pinë, sepse edhe kjo është gjuha e dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.