Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 7 janar kalendari përkujton Shën Raimondin e Penafortit, meshtar

Battesimo del Signore - RV

07/01/2018 15:39

Me 7 janar, kalendari kishtar përkujton Shën Raimondin e Penafortit, meshtar. Bir zotërinjsh katalanë, Raimondi lindi në Penafort, në vitin 1175. Studimet i nisi në Barcelonë e i kreu në Bolonjë. Këtu njohu gjenovezin Sinibald Fieski, që më vonë do të bëhej Papa Inoçenci IV. Si u kthye nga Bolonja, u emërua kanonik në katedrale. Por në vitin 1222 në qytet u hap një kuvend i Urdhërit të Predikatarëve, themeluar pak vjet më parë nga Shën Domeniku. 
Raimondi la kanonikatin e u bë domenikan. Në vitin 1223 ndihmoi Shën Pjetër Nolaskun në themelimin e Urdhërit të Mercedarëve për çlirimin e skllevërve. Pak vjet më vonë, Gregori IX e thirri në Romë dhe i besoi detyrën të mblidhte e të rendiste të gjitha dekretet papnore dogmatike e disiplinore, një mori të pafundme tekstesh, duke dhënë edhe shpjegimet e veta për problemet e veçanta. Detyrë gati e parealizueshme. Por domenikani me aftësi të shquara e vullnet të hekurt për punë, arriti të realizonte një përmbledhje të përkryer. 
Më 1234 Papa deshi ta emëronte kryeipeshkëv të Tarragonës. Por ai nuk pranoi. Deshi të mbetej rregulltar i thjeshtë. Në vitin 1238 sivëllezërit e zgjodhën epror i përgjithshëm i Urdhërit. Iu desh t’i nënshtrohej vullnetit të tyre. Është eprori i tretë i përgjithshëm i Urdhërit Domenikan, pas Domenik Guzmanit e Jordanit të Saksonisë. Vijoi, kështu, një veprimtari të ethshme, duke lëvizur pa pushim, gjithnjë në këmbë, në mbarë Evropën, gjë që ia ligështoi shëndetin dhe e detyroi të rimbyllej në kuvend, ku jetoi duke u lutur, duke studiuar e duke përgatitur predikatarët e rinj të Urdhërit. 
Mendonte se për të kumtuar Krishtin, atje ku nuk njihet, duhet më parë të përvetësosh kulturën e njerëzve, të cilëve shkon t’u predikosh; të hysh në mendësinë e tyre, të kuptosh mënyrën e jetesës, të jesh i përgatitur në të gjitha fushat, në të gjitha drejtimet, në mënyrë që të mund t’i afrosh të tjerët, t’i tërheqësh, t’i bindësh. Për këtë qëllim Shenjti i ardhshëm hapi dy shkolla: një shkollë për të mësuar gjuhën hebraike, në Murcia të Spanjës e një tjetër për arabishten, në Tuniz. Me sa duket gjithë këto nisma ia përtërinë shëndetin e ia zgjatën jetën. Vëllau Raimond vdiq në Barcelonë, në vitin 1275. Ishte njëqind vjeç. U shpall Shenjt në vitin 1601 nga Papa Klementi VIII.

07/01/2018 15:39