Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Kremtohet sot Krishtlindja e Kishave që ndjekin kalendarin julian

Koptët ortodoksë kremtojnë Krishtlindjen - EPA

07/01/2018 14:48

Ndërmjet bashkësive, që kremtojnë 7 janarin, janë edhe ortodoksët e Patriarkanës së Moskës, për të cilët Krishtlindja është festa e paqes dhe e gëzimit.

Është Krishtlindje sot, për Kishat lindore, që ndjekin kalendarin julian dhe e kremtojnë, prandaj, datën e lindjes së Jezusit  më 7 janar. Ky ndryshim nisi që kur Kisha ortodokse në Evropën lindore nuk e pranoi reformën e kalendarit gregorian të vitit 1582.  Kështu dita tradicionale e 25 dhjetorit u shty dy javë më pas.

Festa më e rëndësishme mbeten Pashkët e Zotit

Festë solemne, po, për t’u kremtuar në Kishë, por festa kryesore e Kishës ortodokse mbeten Pashkët, siç na kujton atë Ambrogio Cassinasco i famullisë ortodokse të Patriarkanës së Moskës, kushtuar Shën Maksimit, në Torino. “Krishtlindja ndjehet më fort nga katolikët e protestantët, që i shtuan solemnitetit liturgjik edhe një mori elementesh të përshpirtërisë popullore, si për shembull, zakonin për të bërë Shpellën e Betlehemit, që nisi nga Shën Françesku, për të vijuar në të gjitha kishat, që e kremtojnë Lindjen e Zotit sipas kalendarit gregorian.

Kremtohet Nata e merret pjesë në Ritin eukaristik

Ndër çastet më të rëndësishme të Krishtlindjes ortodokse - shton atë Ambrogio - është pjesëmarrja në natën e festës e pastaj edhe në Liturgjinë Hyjnore, me Ritin Eukaristik të ditës: “Një gjë është kryesore: të shkosh në Kishë. Prej kësaj nuk mund të hiqet dorë”.

Një mendim për kë e kremton Krishtlindjen ndërmjet vështirësive të panumërta

Ndër bashkësitë, të cilat e kremtojnë sot Krishtlindjen, ka edhe besimtarë, që jetojnë në zona tejet të vështira të botës, si Toka Shenjte, ku kohët e fundit banorët po tronditen përsëri nga tensione të reja, ose Siria. “Urimi ynë, prandaj, shkon tek ata që nuk kanë kishë ku të falen, sepse ua rrënuan. Ua rrënuan atë Kishë, që e ngriten me shumë djersë  të parët e tyre” .

E ngritur nga pluhuri i vet, si Feniksi, është edhe katedralja e Moskës, kushtuar Shëlbuesit, ku mbahet kremtimi kryesor ortodoks i Festës.

07/01/2018 14:48