Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Meshën e Dëftimit të Zotit: ndiqni yllin e Jezusit, jo meteorët e kënaqësive

Papa puth Krishtin Fëmijë - REUTERS

06/01/2018 13:17

Me rastin e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit, Papa  Françesku kryesoi kremtimin Eukaristik në Bazilikën e Vatikanit dhe u kërkoi të pranishëmve t’u përngjajnë Mbretërve Dijetarë, që shikojnë yllin, ecin e sjellin dhurata.

Shumë herë gjatë jetës konendohemi duke shikuar vetëm poshtë, për tokë, pa i ngritur kurrë sytë drejt qiellit. Po Mbretërve Dijetarë nuk u mjafton të gjallojnë. Të marrin frymë. Të pluskojnë mbi ujë. Ata  e kanë kuptuar  se për të jetuar një jetë të vërtetë, duhet të kesh synime të mëdha, të sulmosh një cak të lartë. Në homelinë e Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku nënvizoi gjestet e Tre Mbretërve, që panë yllin, ecën e dhuruan.

Ylli i Jezusit nuk të verbon  

Në jetën e  sotme njeriu i nënshtrohet më lehtë vezullimit të gjërave pa kurrfarë vlere, boshe, të kota. Sot rendet pas suksesit, parasë, karrierës, nderimeve, kënaqësive, “meteorë, që shkëlqejnë një ças të vetëm, për t’u shuar shumë shpejt”, yje në rënie, që  të  çorientojnë, në vend që të të orientojnë.  Ndërsa ylli i Zotit nuk është gjithnjë shkreptimtar, por është përherë i pranishëm: të merr për dore në jetë, të  shoqëron, të ndriçon udhën.

Mbretërit flasin pak e ecin shumë 

Papa kujtoi se “të ndjekësh Krishtin nuk është ndonjë protokoll mirësjelljeje, që duhet respektuar. Është dalje nga vetvetja, që duhet jetuar". E kjo do të thotë se duhet të vihesh për udhë, të rrezikosh, duke i flakur tutje barrët e panevojshme e madhështitë kabahe, duke pranuar të papriturat,  që nuk duken në hartën e jetës së rehatshme. Jezusi është kërkues - saktësoi Papa - atij, që e kërkon, i propozon t’i lërë kolltukët e komoditetit të botës e edhe ngrohtësinë e këndshme të vatrës.

Të mësohemi të jetojmë pa bërë llogari

Në Meshën, gjatë së cilës u kujtuan në lutje sidomos të moshuarit e të vetmuarit, pa harruar edhe të krishterët e persekutuar, Papa Bergoglio theksoi, në përfundim, aspektin e dhurimit falas, me rëndësi të posaçme në jetën e të krishterit. Mbretërit, pas shtegtimit të gjatë, dhurojnë pasuri të çmuara: ar, kem e mirrë, duke dashur t’ia kthejnë, në një farë mënyre, Jezusit,  dhuratën shumë më të madhe, atë të jetës  për shëlbimin e botës. Pikërisht në këtë horizont, në të cilin shkëmbehen falas dhurata të çmuara, duhet të jetojnë dishepujt e Birit të Zotit, duke bërë mirë, pa asnjë llogaritje, edhe pse askush nuk ua kërkon, edhe pse nuk fitojnë asgjë, madje ndoshta edhe humbasin e ndoshta-ndoshta nuk u pëlqen… Rëndësi ka t’i pëlqejë Jezusit! E të ofrosh një dhuratë të pëlqyer për Jezusin - përfundoi Papa - do të thotë të kujdesesh për të sëmurin; t’i kushtosh kohë njeriut të vështirë; të ndihmosh ndokënd, që nuk të ngjall kurrfarë interesi; ta falësh atë që të fyen. Janë dhurata falas, të cilat nuk mund të mungojnë në jetën e krishterë. 

06/01/2018 13:17