Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: të rikërkohet pa frikë Jezusi, duke iu kundërvënë indiferencës

Papa në Engjëllin e Tënzot të Dëftimit të Zotit - AP

06/01/2018 15:07

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të Dëftimit të Zotit, Papa u ndalua tek tri sjellje, me të cilat u prit ardhja e Krishtit. Duhet të zgjedhim: ta kërkojmë me kujdes Jezusin, siç bënë Tre Mbretërit, ose të sillemi si skribët, si priftërinjtë e deri të kemi frikë, si Herodi, që shikon tek Jezusi, një kërcënim serioz për pushtetin e tij. Këtë nënvizoi Papa në lutjen e Engjëllit, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Rreth 30 mijë vetë, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e një dielli të vakët dimëror. Ndërmjet të pranishëmve, edhe procesioni historiko-folklorik “Rroftë Befana”, realizuar nga trojet e Maleve Prenestine, ndërmjet të cilave, Gjenacani, ku pati gjetur strehë në ikje prej pushtuesit turk, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Parakaluan simbolikisht drejt Sheshit të Shën Pjetrit epoka të lashta e të reja, shoqëruar me muzikë tradicionale.

Të rikërkohet pa frikë Jezusi, duke iu kundërvënë indiferencës

Françesku kujtoi se duhet ndjekur shembulli i Tre Mbretërve, të gatshëm për ta prishur rehatinë e për t’u vënë në kërkim të Jezusit, që shpëton: me këtë sjellje ne mund të jetojmë një jetë të bukur, plot me dashuri, fe e shpresë.

Këto janë tri sjelljet, që i gjejmë në Ungjill: kërkimi i kujdesshëm i Mbretërve, indiferenca e kryepriftërinjve, skribëve dhe e atyre, që njihnin vetëm teologjinë e frikës, domethënë, njerëzve si Herodi. E edhe ne duhet  të zgjedhim njërën nga këto tri sjellje. Cilën? Kërkimin e kujdesshëm të Jezusit? Po mua Jezusi nuk më thotë asgjë, jam krejt i qetë, kështu siç jam. Ose, kam frikë nga Krishti e nuk dua ta kem në zemër… Dua ta dëboj!

“Egoizmi mund të të shtyjë ta shikosh ardhjen e Jezusit në jetën tënde si kërcënim - shpjegoi Papa - Atëherë përpiqesh ta zhdukësh, ose ta bësh të heshtë mesazhin e Jezusit, që shikohet si pengesë, kur ndiqen ambiciet njerëzore, perspektivat më të rehatshme, kur bëhesh mik e shok me të keqen.

Princat e botës të shtyjnë drejt prepotencës dhe etjes për pushtet

Skribët dhe kryepriftërinjtë e dinë se Jezusi është atje, në Betlehem, pak kilometra larg prej tyre, por nuk tunden fare nga vendi. “Ishin rehat-rehat e u pëlqente fort kjo rehati”. E ky është tundimi i indiferencës: duke e ditur fare mirë se Jezusi është shëlbuesi ynë, dikujt-dikujt i pëlqen të rrojë si të mos ishte fare, i kënda të ndjekë parimet e botës, që të shtyjnë të sillesh me prepotencë e të kesh etje për pushtet e pasuri.

Frika çon në hipokrizi

Më e keqe nga të gjitha, është sjellja e tretë, ajo e Herodit - vërejti Papa - ka frikë, dëshiron të dijë ku është Foshnja, jo për ta adhuruar, siç u thotë Tre Mbretërve, por për ta zhdukur, sepse e shikon si kundërshtar. “Frika çon gjithnjë në hipokrizi - nënvizoi Françesku - duke pohuar se hipokritët janë kështu, sepse e kanë frikën në zemër”.

Në përshëndetjet, urime të veçanta të krishterëve ortodoksë koptë 

Në përfundim të lutjes, Papa u bëri urimet e Krishtlindjes disa Kishave lindore katolike e ortodokse, posaçërisht të krishterëve koptë ortodoksë.  “Gëzimi i kremtimit qoftë burim bashkimi për gjithë të krishterët” - uroi Papa e shtoi: - “Dëshiroj t’u shpreh, në mënyrë të veçantë, afërsinë time të krishterëve ortodoksë koptë e të përshëndes përzemërsisht vëllain tim, Tawadros II, me rastin e gëzueshëm të kushtimit të katedrales së re të Kajros”.

Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe Ditën misionare të Fëmijëve, që u kremtua sot, dhe i drejtoi një përshëndetje të posaçme procesionit historiko-folkloristik, që propozon vlerat e Dëftimit të Zotit e që, këtë vit, iu kushtua territorit Monti Prenestini, duke kujtuar edhe procesionin e Mbretërve Dijetarët në disa qytete të Polonisë.

06/01/2018 15:07