Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit.

battesimo di Gesu - RV

06/01/2018 00:30

Pagëzimi Krishtit Zot, çdo i pagëzuar është i thirrur në rrugën e shenjtërisë. Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën  e Zotit. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës,  kësaj radhë në solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan.

Këto ditë jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim urgjencën ( nevojën) për të shikuar, vështruar e dëgjuar edhe një herë, sërish mësimin e Krishtit: mësimin e Tij të parë të madh. Dhe ka qenë gjë e bukur të bënim edhe një herë udhën e fesë ( të besimit) drejt Betlehemit: me siguri pak dritë na ka mbetur në sy e në zemër.

E ndërsa Krishtlindja largohet, mendoj se në çdonjërin prej nesh lind një nostalgji e madhe: në të vërtetë, të gjithë jemi ende shumë larg shpirtit të Betlehemit, nga i cili nuk na mbetët tjetër përpos një nostalgjie përvëluese (të zjarrtë)  të një Krishtlindjeje të re për të kuptuar më tepër dhe për të jetuar më shumë propozimin e Zotit.  Po, koha ecën me të shpejt, fluturon e ne nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit dhe të kundrimit të tërë jetës së Krishtit në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike. E kështu, Ungjilli i kësaj së diele ( këtij solemniteti) na sjell përgjatë lumit të Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon dhe pret e përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për takimin aq të pritur me Krishtin.

Gjon Pagëzuesi, sikur do të dëgjojmë nga tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë i thotë edhe për ne për të na mbushur më gëzim e për të na përkujtuar se kuptimi i gjithëçkaje ( çdo gjëje) është pikërisht këtu: Zoti vjen!  Jeta është pritje e Zotit. Këndej të jetosh dmth. të presësh Zotin. Të vdesësh dmth. mos pritje më e Zotit.

Gjoni shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh lidhëzat e këpucëve të tija” (Mk 1,7). Të zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë e skllavit!. Gjoni e ndjen kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër figurë apo imazh për të treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para Zotit që bëhet i afërt.

Po të mund t'i përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit. Po të mund të provonim edhe ne mrekullimin e gëzimin para asaj që shohim e para asaj që dëgjojmë në këtë moment! Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit të krishterë e të takimit të Zotit, në saje të mëshirës së tij falas që ka ndaj nesh. Feja ka nevojë për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Mirëpo madhështia e mrekulli lind nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin njeriu mund të takojë Zotin në Jezu Krishtin.

Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë të cilën Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e tij në lumit Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin.  Në festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit Zot, Kisha na nxit si të krishterë të jetojmë me thjeshtësi e harmoni, duke pasur si model jete Familjen e Nazaretit. Çdo foshnjë që lind sjell mes nesh buzëqeshjen e Zotit dhe na fton të pranojmë se jeta është dhuratë që vjen prej Tij, dhuratë që duhet pritur me dashuri e duhet mbrojtur gjithnjë me kujdes, në çdo çast të saj.

Çdo fëmijë që lind, Zoti ua beson prindërve të tij e prej këndej kuptojmë edhe rëndësinë e familjes së themeluar mbi martesën, djep jete e dashurie, ndërtuar sipas modelit të familjes së Nazaretit, në të cilën mbretëronin thjeshtësia, durimi e harmonia, prandaj Kisha u bënë thirrje gjithë prindërve të fëmijëve të pagëzuar e përmes tyre, mbarë familjeve, të mos harrojnë se dëshmia e tyre dhe shembulli tyre ndikojnë më shumë se çdo gjë tjetër mbi pjekurinë njerëzore e shpirtërore të lirisë së fëmijëve të tyre. Pavarësisht nga veprimtaritë e përditshme, shpesh herë marramendëse, të mos harrojnë t’i luten Zotit në punë e në familje, sepse lutja është sekreti i duresës së krishterë.

Fjalët e shën Lukës ungjilltar, na tregojnë se Jezusi foli me Atin qiellor pasi pati marrë Pagëzimin në lumin Jordan. E nuk u lut vetëm për vete, por për të gjithë ne. E atëherë qielli u hap! Nga kjo ngjarje kuptojmë se sa më shumë të jetojmë në bashkim me Jezusin në realitetin e pagëzimit tonë, aq më shumë do të hapet mbi ne qielli, sepse me Pagëzim bëhemi bij të familjes së Zotit. Të krishterët janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë, e cila u përket gjithë të pagëzuarve.

Duke kujtuar solemnitetin e Pagëzimit të Krishtit, duhet të kujtojmë se bashkësia apostolike e vlerësonte këtë si ngjarje tepër të rëndësishme, jo vetëm sepse qe dëftim i qartë dhe i plotë i misterit Trinitar Hyjnor, por edhe pse me të nisi misioni publik i Jezusit nëpër udhët e Palestinës.

Pagëzimi i Jezusit në Jordan paralajmëron pagëzimin e Tij me gjak mbi Kryq, simbol i mbarë veprimtarisë sakramentore përmes së cilës Shëlbuesi realizoi shpëtimin e mbarë njerëzimit. Kështu, Kisha e vënë në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet pagëzimit të Krishtit e pagëzimit tonë. Këtë, sepse përmes Tij ne bëhemi pjesë e Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha, vdesim e ringjallemi me Të, vishemi me Të, siç përsërit disa herë Shën Pali Apostull.

Nga pagëzimi buron impenjimi për ta dëgjuar Jezusin, do të thotë për të besuar në Të e për ta ndjekur pas pa fjalë, duke bërë vullnetin e Tij. Në këtë mënyrë secili njeri mund të synojë shenjtërinë, cak drejt të cilit – siç porosit Koncili II i Vatikanit, janë të thirrur të ecin gjithë të krishterët.

Kisha pra, kremton festën e Pagëzimit të Zotit. Kanë kaluar më se 2000 vjet që kur edhe Krishti vetë, ndonëse i pamëkat, deshi t’u afrohej brigjeve të Jordanit për të marrë pagëzimin e për t’u solidarizuar kështu me pendestarët në kërkim të shpëtimit të shpirtit. Me praninë e tij, Jezusi e shenjtëroi këtë rit. Kështu pagëzimi nuk do të ishte më thjeshtë pastrim, sepse përmes tij shpirti i Zotit vendos e ngul banesën e vet në atë person që e merr sakramentin. Ky gjest i Jezusit është pajtim hyjnor me gjininë njerëzore, pas mëkatit të rrjedhshëm.

                                           LITURGJIA E FJALË

Lexim prej Librit të Isaisë profet 55, 1-11

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani ç’ka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit. Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë. Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit që ty të madhëroi! Kërkojeni Zotin derisa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje. Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia-thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e miajanë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi Isaia 12, 2. 4-6

Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot

Qe, Hyji Shëlbuesi im,
Kam besim e nuk kam frikë,
Sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im.

Falenderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
Shpallni ndër popuj veprat e tija,
Kumtojeni madhërinë e Emrit të tij

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
Le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde, 
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull 5, 1-9

Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kush do prindin, do dhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme. Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është ajo që i ka dhënë Birit të vet. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, aleluja.
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin 
Shenjt e me zjarr.
Aleluja.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut 1, 7-11

Në atë kohë Gjoni, në predikimet e veta, thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandalëve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir – Djali i dishirit! Ty të miratova!”  Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht.

 

06/01/2018 00:30