Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Dëftimi i Zotit: Krishti është ylli që fiton mbi hijet e krizës e të dhunës në botë

Epifania - RV

06/01/2018 00:30

Dëftimi i Zotit: Krishti është ylli që fiton mbi hijet e krizës e të dhunës në botë. Krishti është ‘dielli’ që revolucionarizoi kozmosin e historinë, duke sjellë mes njerëzve dritën e shpresës. Ai davarit retë, që ende dynden nga dhuna, kriza e shpërdorimet e natyrës, të cilat vijojnë ta shpërfytrojnë tokën. Me një mendim, që lidh ngushtë shkencën e fenë, duhet kujtuar se elementi simbolik i kësaj lidhjeje, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, është Jezu Krishti.

Një ‘diell’ që vërshon në errësirën njerëzore, një ‘yll’ që ndriçon shtegtimin e besimtarëve, por edhe një ‘solist’ me rëndësi të jashtëzakonshme në partiturën e mrekullueshme të universit, që nuk do të jetë më e njëjtë. Kjo ndodh me hyrjen e Jezusit në historinë e njerëzve. E pikërisht kështu, me origjinalitet e figura të zgjedhura, Kisha e shpjegon Dëftimin e Jezusit, duke e quajtur ‘mister shumëformësh’ që, sipas traditës latine, përkon me vizitën e Mbretërve Dijetarë në Betlehem, e sipas asaj Lindore, me Pagëzimin e Krishtit në Jordan, por edhe – sipas Ungjillit të Shën Gjonit – me dëftimin e hyjnisë së Jezusit në Dasmën e Kanës. Sidoqoftë, Dëftimi i Zotit është shenjë e epërsisë së Krishtit mbi jetën e mbi vdekjen e mbi çdo epokë.

Nuk ka hije, sado e errët të jetë, që mund ta vrugnojë dritën e Krishtit. Prandaj atyre që besojnë në Krishtin, nuk u mungon kurrë shpresa, edhe sot, përballë krizës shoqërore dhe ekonomike që trondit njerëzimin, përballë urrejtjes e dhunës shkatërrimtare, që vijojnë t’i gjaksoin disa zona të tokës, përballë egoizmit e pretendimit të njeriut për t’u krekosur si zot i vetvetes, gjë që çon shpesh në shtrembërime të rrezikshme të planit hyjnor për jetën e dinjitetin e njeriut, familjen e harmoninë e Gjithësisë.

Duke vijuar reflektimin, po e shoqërojmë shtegtimin e Mbretërve, që ndjekin yllin, me aftësitë e shkencës astronomike, që ka shumë mundësi ta kenë praktikuar tre shkencëtarët lindorë. E ylli për të cilin flitet në Ungjijtë, frymëzoi, që në orët e para të Kishës, edhe leximin teologjik të kësaj ngjarjeje qiellore. Etërit e Kishës panë në këtë episod të treguar nga Shën Mateu, edhe një lloj ‘revolucioni’ kozmologjik, shkaktuar nga hyrja në botë e Birit të Zotit. E kjo duhet kuptuar në këndvështrimin simbolik e teologjik. Në të vërtetë, ndërsa teologjia pagane hyjnizonte elementet dhe forcat e kozmosit, feja e krishterë, duke përmbushur zbulesën biblike, kundron Zotin e vetëm, Krijues e Zotërues i mbarë gjithësisë.

Kjo do të thotë se yjet, planetet, mbarë universi, nuk drejtohen nga një forcë e verbër, nuk i binden vetëm zhvillimit të materies. Nuk janë, prandaj, elementet kozmike që duhen hyjnizuar, përkundrazi, në të gjitha e mbi të gjitha është një vullnet vetjak, Shpirti i Hyjit, që në Jezu Krishtin na u dëftua si Dashuri.

Kemi, pra, në kristianizëm, një konceptim të veçantë kozmologjik, që në filozofinë e në teologjinë mesjetare gjeti shprehje tepër të larta. Edhe në epokën tonë jep shenja interesante të një lulëzimi të ri, falë pasionit e fesë së jo pak shkencëtarëve të cilët - duke ecur në gjurmët e Galileos – nuk heqin dorë as nga arsyeja e as nga feja, përkundrazi, i vlerësojnë të dyja deri në fund, në fekonditetin e tyre të anasjelltë. Vetë Galileo e krahasoi kozmosin me një libër, duke e konsideruar si vepër të një Autori, që shprehet përmes ‘simfonisë së krijimit’. E këtu mund të bëjmë një analogji të bukur e domethënëse.

Brenda kësaj simfonie gjindet ajo, që në gjuhën muzikore quhet ‘solo’, temë që i besohet një instrumenti ose një zëri të vetëm; e është aq e rëndësishme, sa prej saj varet kuptimi i gjithë veprës. Ky ‘solist’ është Jezusi, me të cilin përkon një shenjë mbretërore: dukja e një ylli të ri në kupën qiellore.

Dëftimi i Krishtit pasqyron dëftimin e Kishës e cila, me gjithë kufizimet e mjerimet e veta, vë në dukje veprën e Shpirtit Shenjt. Kisha na fton dtë ecim në gjurmëve e të ushqehen gjithnjë me Shkrimet Shenjte, për të qenë dritë e Krishtit e për ta kumtuar këtë Dritë me fjalë dhe me dëshminë e jetës. 

Nga Ungjilli shenjt sipas Mateut (Mt 2, 1-12)

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: ‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’. Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.”  Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet!

06/01/2018 00:30