2018-01-06 15:42:00

6 janar: arrin në Shën Pjetër, procesioni tradicional “Rroftë Befana”


Ati i Shenjtë përshëndeti sot, gjatë Engjëllit të Tënzot, edhe procesionin tradicional ‘Rroftë Befana 2018” që  gjallëroi edhe sivjet Solemnitetin e Dëftimit të Zotit në Romë e në Vatikan. Procesioni “Rroftë Befana”, manifestim historik, lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, që ishte shlyer nga kalendari civil.

Në rrjedhë vitesh procesioni ‘Rroftë Befana’u bë çast festiv, pa të cilin nuk mund të kuptohet Festa e madhe, që përmbyll pothuajse të gjitha festat e dimrit. Çdo vit rreth njëqind mijë vetë janë të pranishëm në manifestimin, i cili lë mbresa të pashlyera në kujtesën e atyre, që marrin pjesë, e atyre, që ndjekin shpalosjen e figurave. Të duket sikur gjithçka del nga kapakët e librave, që flasin për kështjella e kështjellarë, për shenjtorë gjysëm legjendarë e për fenomene kozmike misterioze. Manifestimi vlerësohet nga të mëdhenj e të vegjël për aftësinë e zgjedhjes së skenave plot fantazi, që vijnë njëra pas tjetrës si një shpërthim ngjyrash e tingujsh, duke gërshetuar me art elemente fetare e fokloristike, në njërën nga festat më të rëndësishme e më domethënëse të krishterimit.

Për të paraqitur karakterin universal të lindjes së Krishtit, që u dëftohet mbarë popujve të tokës, çdo vit në Romë arrijnë nga vise të ndryshme të Italisë e të botës, mijëra shtegtarë. Ndërmjet tyre, tre Mbretërit Dijetarë, me veshjet plot salltanet e me dhuratat, ndjekur nga grupet folklorisitike e nga figura, që të kujtojnë ngjarje të ndryshme historike, nga banda muzikore, kuaj e figura të tjera tipike të vendit organizator. Sivjet, pjesëmarrësit e procesionit ‘Rroftë Befana’ erdhën nga  komunat laciale Cave, Genazzano e San Vito Romano, për t’i bërë nderimet Krishtit Fëmijë Ishin ata që, me 1400 figurantë, e gjallëruan procesionin folklorik “Rroftë Befana”, organizuar, sipas traditës, nga Europae Fami.li.a (Famglie Libere Associate d’ Europa), për të 33-tën herë. Dhuratë e vërtetë për festën e Dëftimit të Zotit e mesazh gazmor i paqes, solidaritetit e vëllazërimit, që u përhap në të katër anët e botës, nga Sheshi i Shën Pjetrit.

Një pjesë të kësaj pasurie, me figura të gjalla nga historia, jeta e Kishës, bujqësia, blegtoria, artizanati, prodhimet e burimet, pati fatin ta ndjekë turma vigane, e radhitur në të dyja anët e Rrugës së Pajtimit e në Sheshin e Shën Pjetrit. 

Procesioni historiko-folklorik nisi parakalimin që nga ora 10.00. Në orën 12. 00 arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pjesëmarrësit ndoqën Lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Sheshi u mbush plot me bashkëvëllazëri historike, banda muzikore, dhjetra kuaj, famfara, skena me flamuj e parulla, e sa e sa skena të tjera vërtet të paharrueshme, që rikujtuan praninë e Krishtit në historinë e të gjitha epokave. Me rëndësi, pjesëmarrja e fëmijëve, simbol shprese. Ishin pikërisht fëmijët, fëmijë të të gjitha moshave e të të gjitha ngjyrave, veshur me rrobat e të gjitha epokave, që i shoqëronin Tre Mbretërit Dijetarë, mbi kuajtë madhështorë, ngarkuar me dhurata simbolike. Simbol i gjallë i universalitetit të Kishës katolike. Natyrisht ishin të pranishme edhe Befanat, të frymëzuara nga figurat e gjysheve, që hynë në skenën e Rrugës së Pajtimit mbi tri “auto exalibur” luksoze, duke shpërndarë në të dy anët e rrugës, karamelet, që nuk mungojnë kurrë në këtë festë, në të cilën deri të rrituri bëhen fëmijë!








All the contents on this site are copyrighted ©.