Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës e festës së Dëftimit të Zotit

epifania Domini - RV

05/01/2018 01:00

Liturgjia e Fjalës e festës së Dëftimit të Zotit: Askush të mos ketë frikë nga Krishti! Më 6 janar, Kisha katolike romake kremton festën e Dëftimit të Zotit, e cila ndër shqiptarë njihet edhe si e kremtja e Ujit të Bekuar. Me festën e Dëftimit të Zotit, Kisha përkujton ardhjen e tre Dijetarëve nga Linjda në Shpellën e Betlehemit,e pikërisht momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.

Melkiori, Balatasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjes Hyjnore. Në Jeruzalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet e tyre për ta verifikuar profecinë.

Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit është për të gjithë ne që kërkojmë Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë e zanate të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme. Festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë e jetës së përditshme i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive e të medimet të ndryshime. Mbretërit Dijetarë njohin në Foshnjen e sapolindur Hyjnore e të brishtë, Zotin, e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrnë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në jetën e Jezu Krishtit.

Festa e Dëftimit të Zotit tregon se mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jeruzalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqia” (Ungjilli).

Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit. Në festën e Dëftimit të Zotit edhe njëherë ripohohet rëndësia e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm.

Të Dëftuarit e Jezu Krishtit është prandaj në të njëjtën kohë edhe të dëftuarit e Kishës, pra të shfaqurit e thirrjes apo vokacionit dhe të misionit të saj të përbotshëm.  Në këtë festë kundrojmë Fjalën e Zotit të Mishëruar, prej shpellës së Betlehemit e në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt e botës. Eshtë udha e fesë së krishtërë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e ngjalljen e Tij.

Eshtë mbi këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin. Krishti për ne bëhët Fjalë e Bukë, në mënyrë që edhe ne, duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. Kisha me këtë festë kremton dëftimin e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm në plotësimin e kohërave. Dëftimi apo shfaqja e Hyjit ndodhi mes dritash e errësirës.

Errësira dhe kohërat

Izaia, shtatë shekuj para Krishtit, nguli vështrimin (sytë) prej shqiponje drej të ardhmes, dhe pa tokën e zhytur në errësirë: "ja, errësira e mbulon tokën, mjegulla e ngulm i pshtjellë kombet" (Iz 60,2)… Bebzat e syve të tij fokalizohen mbi vitet e lindjes së Mesisë, që Pali apostull e quan "plotësi" e kohërave: "Vëllezër, kur erdhi plotësimi i kohës, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje…" (Gal 4,4).

Nga pikëpamja njerëzore, perandoria romane ishte në shkëlqimin më të madhë të saj: kurrë më të ardhmen nuk do të lëshonte (jap) dritë po të gjallë kulturore, pushtet politik e ushtarak, bashkim e marrëveshje mes popujsh. Nga pikëpamja fetare, njeriu kishe marrë vendin e Zotit: Virgjili, Oraci, Ovidi e quanin Cezar Augustin Zot. Mirëpo Hyji nuk e shikon pushtetin politik, por mjerimin moral e fetar të njerëzve. Zoti është dritë, e kush rri largë prej drite, pushtohet e zhytet në errësirë.

Sfida e Zotit

Derisa njeriu mundohet të bëhët Zot, Zoti bëhët njeri dhe i fton njerëzit ta adhurojnë. Mirëpo pyesim nëse njeriu, që nuk e adhuron Zotin, a mund ta adhurojë një Njeri-Zot? E megjithëkëtë Virgjili, Oraci e Ovidi paten adhuruar vetëm një njeri, Gjeniun e Augustit! Sfida që bëri Zoti qëndron në nxjerrjen në pah të absurditetit të njeriut që e adhuron shumë më lehtë një njeri – edhe nëse është Cezar – në vend të një Njeriu që është Zot i vërtetë.

Ylli e dielli

Simbolizmi biblik arrijnë kulmin kur një yll i udhëheq Dijetarët drejt Atij që është i quajtur "Diell i lindur prej së larti". Ylli simbolizon dritën e zbehët të feve false (rreme), që kanë ruajtur vetëm një rreze të dëftimit primitiv (të kahershëm) të Zotit i cili, në fillim, zbriste për të folur me njerëzit në kopshtin e Edenit. Udhëtimi i Dijetarve drejt Jezusit do të thotë udhëtim që çdo fe tjetër duhet ta bëj drejt fesë kristiane, e vetmja fe e vërtetë, sepse në të shkelqen në plotësi dielli i Zotit të dëftuar në Njeriun-Jezus.

Të "vetët" e të tjerët

Kur Gjoni thotë se Fjala, duke u mishruar, "erdhi ndër të vetët", i referohet të gjithë njerëzve të krijuar "përmes tij", pasi që, "pa të, asgjë nuk është krijuar prej asaj që është bërë". Po ne e dijmë se, ndër të gjithë popujt, Hyji pati zgjedhur Izraelin porsi "pronësi" të veten. Kur Fjala u mishërua, "të vetët" ishin Hebrenjtë, të cilët nuk e njohën, nuk e pranuan, derisa nuk e dëbuan përjashta qytetit të shenjtë dhe e gozhduan mbi kryq.

Megjithëse, Krishti do t'ia kushtojë tërë jetën e vet tokësore kthimit të popullit të zgjedhur – delet e humbura të shtëpisë së Izraelit – i urdhëroi pastaj apostujve të zgjëroheshin e të ungjillëzonin "të tjerët", paganët. Një risi e pamendueshme e gati e papranueshme nga populli që deri asokohe konsiderohej i "parazgjedhur". Pali e quan "mister të fshehur para breznive të mëparshme" faktin që "paganët” (gjentilët) janë të thirrur në Jezu Krishtin të marrin pjesë në të njëjtën trashigimi, se janë të ftuar ta formojnë të njëjtin trup, e të jenë pjesëmarrës premtimeve përmes ungjillit (Ef 3,5s).

E dijmë se sa iu desht të quante Pjetrit para e pas i dha pagëzimin familjes së centurionit Kornelit! Shën Pali thotë se misteri i tillë – i hapur ndaj paganëve – "është dëftuar në kohën e tashme apostujve të shenjtë e profetëve". Mirëpo nuk mund të mendohet se Zoti ka ndryshuar planet e veta. Ardhja e dijetarëve nga linda deri te linde e Foshnjes, dëshmon se kthimi i paganëve në krishtërim ishte gjithmonë në planet e Zotit. Madje, leximi i parë i kësaj feste, na paralajmëron se qysh Izaia pati parashikuar popuj e mbretër të ecnin në dritën e Zotit, arradhe kamelesh, deve me gunga nga Madianit, nga Efa e Saba vinin duke "bartur ari e kem", shenja të njohjes së mbretërisë e hyjnisë së Krishtit, "duke i dhënë lavde Zotit".

Tre simbolet shqetësuese

Këtë festë, pra, Kisha kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do. Jezusi nuk është pronë private e disave të privilegjuarve, por është dhuratë e bërë për të gjithë. Me qenëse Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur Dijetarët, njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e une do të ripërtërij". Por qysh në lashtësi mund të konstatohet se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e "kenë" për vete Krishtin duke bartur secili një pjesë në shtëpi të vet. Tri simbolet earit, kemit e mirrës, të vendosura nga tre Diejtarët tek këmbët e Foshnjes, do të thonë se ajo Foshnje e vetme është së bashku Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme.

                           Liturgjia e Fjalës

Leximi parë Iz 60,1-6

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd. Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. Bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit.Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

 

Psalmi 71/72, 1-2.7-8-10-13

Do të lavdërojnë, o Zot, të gjithë popujt e botës

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd

dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi

e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

 

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej lumit e deri në skajin e botës...

 

Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve dhurata do të sjellin,

mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat, të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien,

e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

 

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,

të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin, dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

 

Leximi dytë Ef 3,2-3a.5-6

Mister do të thotë plani i shpëtimit të Hyjit realizuar nga Krishti në historinë tonë. Shën Pali përshkruan këtë plan duke thënë që do të marrin shpëtimin e Krishtit jo vetëm hebrenjtë, por edhe të gjithë popujt paganë, që më parë ishin të përjashtuar nga besëlidhja me Hyjin. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, se me zbulesë qesh vënë në njohuri të misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. Misteri i Krishtit nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirtin Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët – në Jezu Krishtin – janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

 

Aleluja. Aleluja. E pamë yllin e tij duke lindur, dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona. Aleluja.

Ungjilli   Mt 2, 1-12

Paganët janë të tërhequr drejt dritës së Jezusit Mbret.  Nuk takohet më Shpëtimi në Jeruzalem, por në Betlehem.  Dijetarët e lënë veten e tyre të udhëhiqen nga ylli deri në Betlehem. Ndërsa Herodi dhe kryepri-ftërinjtë hebrenj kërkojnë të zhdukin foshnjën e Betlehemit.  Kështu sot ashtu si dje, shpesh janë të tjerët jo të krishterë që rinjohin Jezusin si Mesia.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, kur qe, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti ku duhet të lindë Mesia. Ata i përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti: ‘E ti, o Betlehem tokë e Judesë, ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytetet princore të Judesë, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin’. Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej sish rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia.”  Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa nuk zuri vend aty ku ishte fëmija. Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, t’ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan ar, kem, e mirrnë. Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rrugë tjetër në vendin e vet. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

05/01/2018 01:00