Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Befana: traditë e legjendë

Festa della Befana - RV

05/01/2018 01:00

Befana është figurë tipike e folklorit, e pranishme në krijimtarinë gojore popullore të mbarë popullit italian. Lidhet me të gjitha figurat folkloristike që shpërndajnë dhurata, menjëherë pas kremtimeve të Kërshndellave.

Sipas traditës, Befana shkon për vizitë tek fëmijët natën e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, për t’u mbushur çorapet e varura në vende të ndryshme. Fëmijëve të mirë u dhuron ëmbëlsira, të këqijve, qymyr- prej sheqeri, natyrisht. Ka pamjen e shtrigës, por të shtrigës së mirë, gjithnjë buzagaze, me thesin e dhuratave ngarkuar mbi shpinë.

Legjenda:

Sipas rrëfimit popullor, Tre Mbretërit Dijetarë, drejtuar  për në Betlehem, për t’i paraqitur dhuratat e  tyre Krishtit Fëmijë, me që nuk po e gjenin rrugën, iu lutën një plake vendase t’u printe. Megjithë këmbënguljen e tyre, plaka nuk doli nga shtëpia për t’i shoqëruar. E ata u nisën përsëri, rrugë pa rrugë. Sapo ishin zhdukur në horizont, me devetë e tyre ngarkuar, plaka u pendua. Mbushi shpejt e shpejt një thes  me ëmbëlsira, doli nga shtëpia e u nis pas gjurmëve të tyre. Por nuk mundi t’i takonte. E vijoi kështu, duke trokitur derë më derë e duke u dhuruar ëmbëlsira fëmijëve, që takonte, me shpresë se njëri prej tyre do të ishte Krishti Fëmijë.

Që asokohe Befana plakë vijon të shtegtojë nëpër botë, duke u bërë dhurata fëmijëve, me shpresë se Krishti Fëmijë do ta falë.

Ja si i këndon Befanës poeti i njohur italian, Gjovani Paskoli:

“Erdhi, erdhi prap Befana;

zbret nga malet nëpër natë,

lodhë e këputë nga rruga e gjatë,

dëbora, ngrica e tramundana”.

Befana, pra, përkon me solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar, e lidhet ngushtë me figurat e Tre Mbretërve: Melkiori, Baldasari e Gaspri, që u nisën nga vende të ndryshme, ndoshta nga Nubia, Godolia e Tharsis, për t’i dhuruar Jezusit ar, kem e mirrë. Simbolika e dhuratave: ar - për Mbretin; kem - për Zotin, mirrë - për njeriun që do të flijohej në kryq, sepse mirra është aromë që përdoret për të lyer trupat e të vdekurve. Njihnin kështu flijimin e Zotit, sundimin e tij mbretëror mbi universin e hyjninë e Foshnjës së grazhdit.

Tre Mbretërit përshkuan shumë vende, të udhëhequr nga një yll e kudo shkelnin, banorët  vraponin pas tyre. E kështu, në shtegtim e sipër, trokitën në portën e plakës, Befanës, që nuk pranoi t’i shoqëronte. Prandaj plaka nuk mundi ta shikojë Jezusin në grazhd. Që aso kohe, gjithnjë sipas legjendës, natën ndërmjet 5 e 6 janarit, duke fluturuar mbi një fshesë, me një thes mbi shpinë, kalon shtëpi më shtëpi për t’u shpërndarë fëmijëve dhuratat, që nuk mundi t’ia jepte Foshnjës.

Të lutemi me Ungjillin

Tre Mbretërit dijetarë adhruojnë sot Krishtin. Në ta shikojmë frytet e para të thirrjes sonë hyjnore e të fesë sonë e, me shpirtin e ngaëzlluar, kremtojmë fillesën e shpresës sonë… E ashtu si Mbretërit nxorën nga peshtafët e tyre dhuratat mistike për t’ia paraqitur Zotit, edhe ne t’i hapim peshtafet e zemrave tona e të vemë tek këmbët e Foshnjës së grazhdit, çka është më e denjë për Zotin. Ndonëse Ai është dhurues i gjitha të mirave, të mos harrojmë se na kërkon frytin e vullnetit të mirë. Mbretëria e qiellit nuk është për gjumashët, por për ata që punojnë pa u lodhur kurrë, për të njohur ligjin e Zotit e për të zbatuar në çdo vepër të duarve të tyre. Të mos e harrojmë kurrë këtë vërtetë, në sa kremtojmë solemnitetin e Dëftimit të Zotit duke u uruar të gjithëve: Gëzuar! Për shumë mot!

05/01/2018 01:00