2018-01-04 15:08:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: ndryshimi fillon prej teje


Në emisionin e sotëm, këshilla e dhjetë dhe e fundit e Papës Françesku për të rinjtë, cikël, që e kemi filluar para më se dy muajsh, si zakonisht, për çdo të enjte. Gjatë mbrëmjes së lutjes në Ditën Botërore të Rinisë, më 30 korrik 2016, Ati i Shenjtë u tha të rinjve të shohin brenda vetes, në shpirtin e tyre, sepse çdo ndryshim i jetës fillon pikërisht prej tyre. E na duket edhe këshillë e mirë për këtë fillim viti, në të cilin çdokush, pasi bën bilancin e vitit të sapokaluar, i vë vetes përpara detyra të reja. Të fillosh nga vetvetja është mënyra më e mirë për t’i realizuar ato. Por, le t’ia japim fjalën Papës Françesku:

         “Përmes jush – u thotë Bergoglio të rinjve – hyn e ardhmja në botë. Juve ju kërkoj të jeni protagonistë të këtij ndryshimi. Shkunduni nga apatia, duke u dhënë përgjigje të krishterë shqetësimeve shoqërore dhe politike, që po duken në anë të ndryshme të botës. Ju kërkoj të jeni ndërtues të botës, të viheni në punë për një botë më të mirë. Të dashur të rinj – vijon Ati i Shenjtë – ju lutem, mos ‘e shikoni nga ballkoni’ jetën, hyni në të, zhytuni në të, siç bëri Jezusi.
         Megjithatë, mbetet pyetja: nga t’ia fillojmë? Kujt t’i kërkojmë ta fillojë këtë ndryshim? Një herë, e pyetën Nënë Terezën çfarë dëshironte të ndryshonte në Kishë e nga duhej filluar. ‘Nga mua dhe ty!’ u përgjigj ajo. Sot, po ia vjedh këto fjalë e po ju them: le të fillojmë ndryshimet! Nga t’ia fillojmë? Nga mua e nga ty! Secili, edhe një herë, në heshtje, le ta pyesë veten: nëse duhet t’ia filloj nga vetveteja, nga çfarë t’ia nis? Secili le ta hapë zemrën që Jezusi t’i thotë nga t’ia nisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.