2018-01-04 12:59:00

Papa Françesku: viti 2018 ndërmjet reformave, udhëtimeve, të rinjve e familjes


Papa Françesku: viti 2018 ndërmjet reformave, udhëtimeve, të rinjve e familjes. Vit, që përveç plotësimit të reformës së Kuries Romake, do të përfshijë edhe veprimtari me familjen dhe të rinjtë në qendër, si edhe udhëtime të rëndësishme në Itali e jashtë saj. Kjo është 2018-a e Papës Françesku, një kalendar i mbushur me ngjarje; hapa përpara, të cilat pavarësisht nga disa kundërshtime, synojnë vazhdimin e reformave drejt një Kishe, që, siç thotë Ati i Shenjtë, duhet të projektohet edhe më tepër drejt përmasës universale e të decentralizuar, duke u përqendruar në aspektin baritor, mikpritës dhe misionar.

Udhëtimet e Papës Françesku jashtë Italisë

Ndërsa të hënën, më 8 janar, pritet me interes fjalimi i Papës për Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, një ndër më të rëndësishmit e vitit për të kuptuar vijën e veprimit dhe këndvështrimin ndërkombëtar të Kishës Katolike, Françesku, vetëm pas një jave, më 15 janar, do të niset për udhëtim në Kili e në Peru, ku do të qëndrojë deri më 22 të këtij muaji. Edhe një herë në Amerikën e tij Latine, për të cilën vijon të urojë zgjidhjen e pabarazive të rënda shoqërore dhe fundin e korrupsionit. Tani për tani, nuk janë konfirmuar udhëtime të tjera jashtë Italisë për këtë vit, por Papa duhet të shkojë në Takimin Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Dublin, nga 21 deri më 26 gusht: rast për të parë si është zbatuar enciklika e tij “Amoris Laetitia”. Është folur edhe për udhëtime të tjera, të cilat po studiohen e vlerësohen.

Vizitat papnore në Itali

Si zakonisht, vizita papnore do të organizohen edhe në Itali. Dihet tashmë se Ati i Shenjtë do të shkojë të shtunën, më 17 mars, në Pietrelcinën e në San Giovanni Rotondo-n e shën Piut, ndërsa vizita të tjera akoma nuk janë zyrtare.

Temat e agjendës së Papës

Përsa u përket temave në agjendën papnore, viti fillon me përcaktimin e aspekteve të fundit të reformës së Kushtetutës apostolike “Pastor Bonus” për organizimin e Kuries Romake dhe të asaj të mediave vatikanase, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne të redaksisë shqipe. Këshilli i ardhshëm i Kardinjave C9 do të mblidhet nga 26 deri më 28 shkurt. Gjithashtu, Sinodit të njohur për familjen do t’i shtohet sivjet edhe ai për të rinjtë, që do të mbahet nga 3 deri më 28 tetor. Ndërkaq, vijon puna përgatitore, përfshirë vlerësimin e pyetësorëve të plotësuar online deri më 31 dhjetorin e 2017-ës.








All the contents on this site are copyrighted ©.