Shtegtimi Apostolik i Françeskut në Perù, në program nga 18 deri më 21 janar, i mbush me gëzim e shpresë zemrat e peruvianëve. Këtë pohon kryeipeshkvi i Limës, kardinali Luis Cipriani Thorne, në mikrofonin e Radios sonë, duke shtuar se shenjtorët janë pasuria e vërtetë e madhe e vendit:
Peruja është vend shumë katolik, shumë pranë Atit të Shenjtë. Gjithë vendi është në lëvizje: lëvizje e ngarkuar me shpresë e gëzim të pamasë.
Kjo sternë shprese duket sidomos në historinë e Perusë, vend me pasuri të pafundme. E pasuria më e madhe e vendit - siç e kujton edhe Papa nësa përgatitet për këtë shtegtim - janë shenjtorët e tij, që e bashkuan Perunë e i dhanë shumë mbarë Amerikës Latine…
Jeta e këtyre shenjtorëve është pjesë përbërëse e identitetit të popullit peruvian. S’ka peruvian, që s’e ndjen shumë pranë Shën Rozën e Limës, Shën Martinin Porres, il Señor de los Milagros... Është prani shumë e thellë e shumë shpirtërore, që u tregon udhën të gjithë latinoamerikanëve. E shenjtorët e parë vijnë nga Peruja.
Një nga çastet kulmore të vizitës do të jetë takimi me popullin e Amazonës. Çast, në të cilin do të jehojë fuqishëm enciklika papnore “Lëvduar qofsh”…
Papa e ka shumë për zemër respektimin e natyrës. Në Peru shtrihet edhe një pjesë e pyllit amazonik. E këtu Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim në mbrojtje të natyrës: ne kemi nevojë, shumë nevojë, për këtë natyrë. Nëse e shkatërrojmë natyrën, shkatërrojmë edhe njerëzit, që jetojnë në këto vise. Mendoj se ky do të jetë edhe fillimi i Sinodit panamazonik të vitit të ardhshëm.
Shtegtimi i Atit të Shenjtë tregon edhe se Papën e tërheq shumë Peruja, përshpirtëria e thellë popullore e banorëve të këtij vendi…
Po, unë i ndjej këto troje, si vend që e tërheq fort Papën, vend që e ka shumë për zemër e që e ndjen shumë pranë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |