2018-01-03 15:30:00

Selia e Shenjtë: zi ndër ipeshkvijtë kinezë


Dy vdekje ndër ipeshkvijtë kinezë. Njoftimin e jep sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Është fjala për ipeshkvin e Fengxiang-ut (Kina kontinentale), imzot Luka Li Jingfeng, që ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, pas disa muajsh sëmundjeje të rëndë; si edhe për ipeshkvin ndihmës të nderit të Hanzhong-ut (gjithnjë Kina kontinetale), imzot Matia Yü Chengxin, 89-vjeçar, i sëmurë prej kohësh.

         Të dy, kur akoma nuk ishin ipeshkvij, janë arrestuar gjatë Revolucionit Kulturor kinez, në periudhën e së ashtuquajturës “Lëvizje e tri autonomive”. Të dy u dënuan me punë të detyruar për gati 20 vjet, deri më 1981, kur u ringjall jeta fetare në Kinë. Nuk pranuan të marrin pjesë në “Shoqatën Patriotike” ku Partia Komuniste deshi të inkuadronte të gjithë klerin katolik, por pavarësisht nga kjo, pas 1981-shit, u shuguruan ipeshkvij dhe u njohën si të tillë edhe nga qeveria e Pekinit, përveçse nga Selia e Shenjtë. Imzot Luka u thirr nga Papa Benedikti XVI për Sinodin e Ipeshkvijve në Vatikan, së bashku me tre prelatë të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk arriti të merrte autorizimin e nevojshëm për të ardhur në Romë, shenjë se marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Selisë së Shenjtë kishin dhe kanë akoma hapa përpara për të bërë.








All the contents on this site are copyrighted ©.