2018-01-02 14:00:00

Unicef: Henrietta Fore është drejtoresha e re e përgjithshme


Që nga 1 janari, Henrietta Fore është drejtoresha e re e përgjithshme e Unicef-it. E shtata në këtë detyrë, ajo ka përvojë të madhe në drejtim, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

         “Ndjehem e nderuar që po bëj pjesë në një organizatë kaq të rëndësishme, të cilën e njoh dhe e admiroj prej shumë vitesh. Mezi pres të vijoj punën e Unicef-it për të ndihmuar e shpëtuar fëmijët, për të luftuar që të kenë të gjitha të drejtat dhe për t’i ndihmuar të realizohen në jetë”, deklaroi.

Kush është Henrietta Fore

         Para se të ngarkohej me këtë detyrë, zonja Fore ka qenë kryetare e Këshillit Administrativ dhe administratore e Holsman International, shoqëri prodhimesh dhe investimesh. Nga viti 2007 deri më 2009, ka qenë administratore e Usaid – agjencisë amerikane për zhvillimin ndërkombëtar. Në të njëjtën periudhë ka kryesuar edhe ndihmën amerikane për jashtë, në Departamentin e Shtetit. Gjithashtu, ajo ka pasur role udhëheqëse në organizata të ndryshme të shoqërisë civile, por edhe në ndërmarrje private. E martuar, me katër fëmijë, Henrietta Fore ka mbaruar universitetin në degën e historisë dhe ka ndjekur një master në administratën publike.








All the contents on this site are copyrighted ©.