2018-01-02 15:00:00

Toka Shenjte: imzot Pizzaballa, “paqja u takon të gjithëve e jo vetëm krerëve të radhës”


“Të mëdhenjtë nuk mund ta realizojnë kurrë paqen, nëse të vegjlit nuk e jetojnë atë. Për të pasur paqe, nuk mjafton të denoncojmë mungesën e saj, por duhet të kemi guximin për ta arritur, pavarësisht nga gjithçka”. Kështu foli dje administratori apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, imzot Pierbattista Pizzaballa, gjatë meshës së kremtuar më 1 janar, në Jeruzalem, ndërsa Kisha kremtonte Ditën Botërore të Paqes.

Duke marrë shkas nga Leximet liturgjike të ditës, kryeipeshkvi kujtoi se “askush nuk përjashtohet nga impenjimi për paqen. Ajo u përket të gjithëve e jo vetëm krerëve të radhës. Nuk vlen për asgjë t’u kërkojmë paqe të mëdhenjve e të mos përpiqemi për të në botën e vogël të secilit. Fati i të gjithëve është i lidhur me atë të të tjerëve. Gjithçka bëj në rrethin tim të vogël e në familje kontribuon, bashkëpunon e merr pjesë edhe në atë paqe, që janë të thirrur ta realizojnë të mëdhenjtë e kësaj bote”.

Dhurata e paqes, nëse është vërtet brenda nesh, për imzot Pizzaballën “nuk mund të mos shpallet, përmes sjelljeve, përmes mënyrës për ta ndërtuar e jetuar familjen, shoqërinë, rininë, veprimtarinë e famullisë, aksionin politik…”. Nga administratori apostolik, edhe ftesa për “t’u mrekulluar nga gjestet e vogla e të mëdha të dashurisë, të bashkëpunimit, të mikpritjes, të vëllazërimit e të paqes, të cilat shihen akoma, pavarësisht nga vështirësitë. T’i lëmë të na mahnisin e t’i kremtojmë këto çaste – nënvizoi ai në homelinë e meshës së djeshme – është e nevojshme më tepër se kurrë. Kjo na jep shpresë, na dëshmon se jeta vazhdon e se është akoma e aftë për dashuri, për të cilën kemi nevojë të gjithë”.

“Virgjëra Mari – përfundoi imzot Pizzaballa – na mëson sot se askush nuk është zot i paqes. Të dimë ta dëgjojmë tjetrin, ta pranojmë këndvështrimin e tij, t’ia hapim sytë dhe zemrën tjetrit, është jetësore për paqen. Nuk arrihet paqja vetëm me çka mendojmë dhe bëjmë ne. Kemi nevojë për tjetrin ashtu siç është e, jo për një ‘tjetër’ siç e duam ne. Njerëzit kanë gjithnjë shumë për të na dhënë. Kjo vetëdije do të na ndihmojë të mos pretendojmë vetëm t’u mësojmë të tjerëve si arrihet paqja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.