2018-01-02 16:09:00

Papa: të mikpritet çdo jetë; për emigrantët, ardhmëri paqeje


Ta hapim vitin 2018 nën shenjën e mikpritjes, me vëmendje për tjetrin, duke nisur nga emigrantët dhe refugjatët, që kërkojnë për ardhmërinë e tyre, horizontet e paqes”: këto fjalë,  nënvizuar nga Papa në ditën e parë të vitit të ri 2018, na kujtojnë të gjithëve se duhet të vihemi në shërbim të jetës njerëzore, të çdo jete, duke nisur nga ajo që nuk ka dalë akoma në dritë, tek ajo që motnohet, që shuhet, që vuan, që sëmuret, që të shqetëson e madje, edhe që të kall krupën. “Duhet pranuar, duhet dashur, duhet ndihmuar”.

“Dëshiroj edhe një herë të bëhem zë i këtyre vëllezërve e motrave tona, që kërkojnë horizonte paqeje për ardhmërinë e tyre” - pohoi Françesku, duke kujtuar emigrantët e refugjatët. “Për këtë paqe - shtoi - që është e drejtë e të gjithëve, shumë prej tyre janë gati të rrezikojnë edhe jetën në një shtegtim, në shumicën e rasteve, të gjatë e të rrezikshëm, që duhet përballuar me mundime e me vuajtje”. Me shpresë se në këtë vit të ri do të punohet bujarisht në realizimin e një bote më solidare e më mikpritëse, Papa ftoi të mos shuhet shpresa për ardhmërinë në paqe, në zemër të këtyre vëllezërve tanë. “Ka rëndësi që të gjithë - saktësoi - institucionet civile, realitetet edukative, asistenciale dhe kishtare, të impenjohen për t’u siguruar refugjatëve, emigrantëve, të gjithëve, një ardhmëri paqësore”.

Në të njëjtën vijë, edhe fjalët e Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Matarella, që theksoi: “Nxitja e frikës ndaj emigrantëve nuk ndihmon për çështjen e paqes. Fenomeni do ta impenjojë edhe për shumë vite bashkësinë ndërkombëtare. E mesazhi i Papës - vijoi Presidenti i Italisë - i nxit të gjithë t’i shikojnë emigrantët dhe refugjatët me një sy më të vëmendshëm, si mundësi për  ta ndërtuar ardhmërinë me paqe”.

Edhe të dielën e kaluar, në një takim të dyfishtë me besimtarët, gjatë Engjëllit të Tënzot dhe kremtimit tradicional të Te Deum,  si falënderim drejtuar Zotit për një vit, kaluar nën mbrojtjen e Tij, Papa bekoi nismat e shumta të lutjes e të veprimtarive për paqen, organizuar në të katër anët, me rastin e Ditës  Botërore të Paqes, duke nisur nga marshimi kombëtar, zhvilluar në “Sotto il Monte”, organizuar nga CEI, Karitasi italian, Pax Christi e Veprimi katolik, për të kaluar tek manifestimi “Paqe në të gjitha trojet”, organizuar, në Romë e në shumë vende, nga Bashkësia e Shën Egjidit.








All the contents on this site are copyrighted ©.