2018-01-02 17:54:00

Niger. Në Agadez, “portë e shkretëtirës”, ndihma për emigrantët


Në Niger, në rajonin e Agadez e Niamy, Fushata e CEI “Të lirë për t’u nisur, të lirë për të ndenjur”, do të financojë, përmes 8 për mijë, një projekt për asistencën dhe shoqërimin e emigrantëve, realizuar nga Karitas Niger. Parashikohet që gjatë tri vjetëve të ngrihen dy qendra strehimi, të organizohen veprimtari formuese, të asistohen të riatdhesuarit e t’u jepet ndihmë psikologjike, ushqimore e shëndetësore.

Agadez thirret “porta e shkretëtirës”. Që nga shekulli XI e deri më sot, në këtë rajon të Nigerit - 900 kilometra në veri të kryeqytetit Niamy e në rrugën, që çon nga Algjeria në Libi - prej kohe zhvillohet tregtia e shkëmbimeve ndërmjet Afrikës sub-sahariane e Maghrebit. Por edhe turizmi, artizanati dhe veprimtaritë për nxjerrjen e uranit e të qymyrgurit.  Në dhjetë vjetët e fundit qyteti Agadez, si e humbi vlerën historike e turistike, për shkak të mungesës së stabilitetit edhe të sigurisë në zonë, u bë vend i preferuar për kalimin e emigrantëve të parregullt, një herë në shkretëtirë, pastaj në Mesdheun qendror, drejt Evropës, në duart e trafikantëve të qenieve njerëzore.

100 milion euro të BE-së nuk mjaftojnë për të bllokuar emigracionin

Nigeri është një nga vendet strategjike, të cilit BE-ja synon t’ia  besojë bllokimin e emigrantëve; rreth 10 milionë euro për gjithë rajonin e Agadezit. Por kjo shumë, për autoritetet vendase, është vetëm një grusht me kacidhe, krejt e pamjaftueshme, në krahasim me 6 miliard eurot, që iu dhanë Turqisë ose me shumat e mëdha, që po i jep Italia Libisë, me nënshkrimin e Memorandumit  të marrëveshjes, duke i kërkuar rojes bregdetare libike t’i ndalojë emigrantët. Në Agadez, për vite e vite, të rinjtë vendas jetonin nga transporti i emigrantëve drejt veriut. Tani nuk mund ta bëjnë më këtë “zanat”, ose e bëjnë shumë më pak. Prej dy vjetësh, me kërkesën e BE-së, Nigeri miratoi një ligj, që e konsideron këtë veprimtari ilegale. Duke e keqësuar, kështu, më tej, gjendjen e papunësisë kronike për të rinjtë, pa asnjë alternativë. Për më tepër, marrëveshjet ndërmjet Evropës e Afrikës synojnë ta shtojnë numrin e riatdhesimeve dhe të rikthimit të emigrantëve atje, nga kanë ardhur.

Në Agadez, mijëra njerëz janë grumbulluar ndër geto

Nigeri është etapa e detyruar për kë niset e për kë kthehet. Prandaj aty mijëra njerëz janë grumbulluar ndër geto. Kalojnë nga Nigeri, duke ardhur nga Kameruni, Bregu i Fildishtë, Nigeria, Mali, Benini, Sierra Leone e Senegali. Një pjesë e mirë janë gra e fëmijë. Kur i pyet pse emigrojnë – shkruhet në një raport të Caritas Niger – shumica gjegjen se “kërkojnë një jetë më të mirë, atje ku ka vende pune”. E nuk e dinë aspak çfarë tmerresh i presin në Libi e ç’rreziqe në det. Pa harruar se së pari i pret kalimi i shkretëtirës.

Caritas Niger: projekt për t’i ndihmuar emigrantët në kalim

Në këtë skenë dramatike, vihet në jetë projekti i asistencës dhe i shoqërimit të emigrantëve i Caritas Niger,  financuar me 342.906 euro në tre vjet, nga 8 për mijë e CEI, në kuadrin e fushatës “Të lirë për t’u nisur, të lirë për të ndenjur”. “Nuk mund të mbash qëndrim indiferent përballë situatës së degradimit fizik dhe humbjes së dinjitetit, që pësojnë emigrantët - shpjegojnë drejtuesit e Caritas Niger (22.000 katolikë, në 14 milionë banorë), i cili ka asistuar më se 2000 emigrantë, duke i furnizuar me ushqime, kite higjienike, batanije, skeda telefonike, strehë të përkohshme, asistencë shëndetësore dhe mbështetje për të burgosurit. Megjithatë, kushtet e jetës së tyre janë për t’u vajtuar. Ndërsa e ardhmja, aventurë, shpesh herë fatale. Pa bërë mirë hapin e parë mbi rërën e shkretëtirës, bien pre në duart e trafikantëve apo të banditëve, që i rrëmbejnë për t’i shitur ose i detyrojnë t’i nënshtrohen shpërdorimeve fizike e seksuale.

Vijat e Projektit Caritas

Ndërmjet qëllimeve të projektit Caritas, kujtojmë: të informohen emigrantët në kalim si dhe popullsia, për rreziqet e shtegtimit, t’u jepet asistencë njerëzve të dëbuar nga kufijtë e Evropës ose të riatdhesuar në Libi e Algjeri e të realizohen dy qendra strehimi në Niamey e Agadez. Parashikohen edhe kurse formimi për forcat e rendit dhe të policisë kufitare si dhe për 20 veprimtarë, që do të punojnë ndër qendrat, kontribute për shpenzimet e udhëtimit në rast riatdhesimi, mbështetje psikologjike dhe ndihma ushqimore e shëndetësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.