2018-01-02 13:44:00

Iran: Valë arrestimesh pas dhunës; më se 20 të vdekur


Akuza të rënda nga ana e Udhëheqësit të lartë iranian, ajatollahut Ali Khamenei, kundër armiqve të mundshëm të Republikës Islamike, që konsiderohen përgjegjës për dhunën antiqeveritare të këtyre ditëve. “Me mjete të ndryshme, si para, armë, politikë dhe sigurim – pohoi ai – armiqtë janë përpjekur të minojnë sistemin”. Ndërkaq, burime të Teheranit njoftojnë se janë arrestuar 450 vetë gjatë tri ditëve të fundit. 23, viktimat e dhunës, ndër të cilët edhe një fëmijë 11-vjeçar. Vala e protestave nisi nga Mashhad e manifestimet u përhapën edhe në qytetet e tjera të Republikës.

Tweet-i i presidentit amerikan Donald Trump

         Ministria e jashtme iraniane iu përgjigj edhe tweet-eve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili, duke komentuar protestat, flet për një shtet të dështuar, uron të ketë ndryshime dhe i shpreh solidaritetin popullit iranian. “Në vend që të humbasë kohë me tweet-e të kota e ofenduese për popujt e kombet e tjera – përgjigjen nga Teherani – do të bënte mirë të merrej me çështjet e brendshme të vendit të vet”.

Rrënjët ekonomike të protestës

         Sipas analistëve, qeveria iraniane e ka nënvlerësuar pakënaqësinë popullore ndaj masave të saj të fundit dhe ndaj pasurimit pa cak të ministrave. Në dhjetor u paraqit ligji i bilancit për vitin 2018, në të cilin rritet me 70% çmimi i benzinës, me 40% drita e gazi, trefishohet taksa për udhëtimet jashtë shtetit, rriten gjobat kundër automobilistëve të parregullt, hiqen ndihmat qeveritare për 20 milion vetë, një e katërta e popullsisë së Iranit. Pas këtyre vendimeve, brenda dy javësh, është rritur çmimi i ushqimeve të përditshme. Për të mos folur mbi falimentimin e disa bankave, që i kanë bërë hi e pluhur të gjitha kursimet e njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.