2018-01-02 14:33:00

Dita botërore e paqes. Atë Czerny: Papa kërkon një shikim shprese


“Emigrantët e refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes”. Kjo, tema, që zgjodhi Papa për Ditën Botërore të Paqes, kremtuar më 1 janar 2018. Paqen - shkruan Françesku në tekstin, që u bë i njohur nëntorin e kaluar -  e dëshirojnë  të gjithë njerëzit e mbarë popujt, posaçërisht ata, që e ndjejnë më shumë mungesën e saj. Ndërmjet atyre, që i kam gjithnjë pranë në mendje e në lutje, dëshiroj të kujtoj edhe një herë më se 250 milionë emigrantët, që enden nëpër botë, ndërmjet të cilëve, 22 milionë e gjysëm refugjatë. Njerëz, që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe! Njerëz, që janë gati të vënë në lojë edhe jetën në udhëtime të gjata e të rrezikshme, të pësojnë lodhje e vuajtje, të përballojnë  tela me gjemba e deri vdekjen.

Në fjalët e Papës, një mesazh i madh shprese

Atyre iu kushtua kjo ditë, në zemër të Papës, që fton për ta shikuar të ardhmen me shpresë - komenton zëvendës-sekretari i Seksionit për Emigrantët e Refugjatët të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, atë Czerny - duke shpjeguar sa shumë mund të kontribuojë në ardhmërinë me paqe, “mundësia e emigracioneve, domethënë,  mundësia e krijuar nga ai, që vihet për udhë dhe ai, që e strehon, me kusht që fluksi i emigrantëve të drejtohet si duhet, duke “mikpritur, duke mbrojtur, duke promovuar e duke integruar”:  këto katër folje, përdorur në mesazhin e Papës, janë vija udhëheqëse për të ardhmen.

Katër folje, si bazë për vitin e ri

Atë Czerny shpjegon si e në ç’masë secili nga ne mund ta vërë në jetë “mikpritjen, mbrojtjen, promovimin e integrimin”. Mikpritja është gjest, që mund ta bëjnë të gjithë. Të gjithë mund t’i hapin zemrat, mendjet,  shtëpitë, krahët, për atë, që ndjehet i përjashtuar e i brishtë. Është një mënyrë për ta jetuar jetën. Ndokush mund të mendojë - vijon - aty ku jam unë, nuk ka emigrantë. Por sigurisht është ndokush, që pret promovim e integrim. Gjë që na e hap mendjen e zemrën për ta jetuar Ungjillin praktik e impenjativ, duke na ndihmuar ta kuptojmë më shumë e më mirë se kurrë. E kjo, sipas meje, është sfida për vitin e ri.

Paqja nuk është ëndërr, është vizion për t’u realizuar

Atë Czerny kujton se procesi, që gjatë 2018-tës do të çojë në përkufizimin dhe miratimin, nga ana e Kombeve të Bashkuara, të dy pakteve globale, njëri për emigracionet e sigurta e të rregullta, tjetri për refugjatët, do të mbështetet nga Selia e Shenjtë, duke pasur parasysh pikërisht mesazhin e Papës. Seksioni i Emigrantëve dhe i refugjatëve i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, këshillon 20 pika aksioni, si pistë konkrete për vënien në jetë të katër foljeve, përdorur nga Papa në mesazh, në politikat publike si dhe në veprimtarinë e bashkësive të krishtera. Bëhet fjalë për pakte që - shpjegon atë Czerny - do të shërbejnë për të realizuar trajtimin e flukseve me më shumë respekt, përgjegjësi e me më pak ankth e frikë. “Ne, nga përvoja jonë, duam të themi se paktet globale, të karakterizuara nga mikpritja, mbrojtja, promovimi e integrimi, janë më të mirat e mundshme. E kjo, edhe dëshira e angazhimi ynë për 2018-tën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.