2018-01-01 10:34:00

Papa: përballë diskriminimeve e ksenofobisë, i fton qytetet të jenë kantiere të paqes


Papa Françesku: përballë diskriminimeve e ksenofobisë, i fton qytetet të jenë kantiere të paqes. “Emigracionet globale të shikohen me sy plot besim, duke mos i konsideruar si kërcënim, por si ‘mundësi’ për sigurimin e së nesërmes  paqësore, sepse do të vijojnë edhe në të ardhmen tonë”. Kështu shprehet Papa Françesku në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, që kremtohet sot, 1 janar, dita e parë e Vitit të Ri 2018. Titulli: “Emigrantët e refugjatët: burra e gra në kërkim të paqes”, lidhet ngushtë me Mesazhin tjetër të Françeskut, atë të “Ditës botërore të emigrantit e refugjatit 2018”. 

Duhet përdorur strategjia, që harmonizon katër aksione: “të mirëpresësh, të mbrosh, të promovosh e t’i integrosh emigrantët e refugjatët”. Posaçërisht - nënvizon - të mirëpresësh e të zgjerosh mundësitë e hyrjes legale, që refugjatët e emigrantët “të mos sprapsen drejt vendeve, ku i presin persekutimet e dhuna”.

Papa kujton më se 250 milionë emigrantët, që enden nëpër botë, ndërmjet të cilëve, 22 milionë e gjysëm refugjatë. Njerëz, që kërkojnë një vend ku të jetojnë në paqe! Njerëz, që janë gati të vënë në lojë edhe jetën në udhëtime të gjata e të rrezikshme, të pësojnë lodhje e vuajtje, të përballojnë  tela me gjemba e mure, që ngrihen për t’i mbajtur larg cakut të dëshiruar. Papa, duke kujtuar “shpirtin e mëshirës”, vëren edhe se “mirëpritja e tjetrit  kërkon angazhim konkret, zinxhir ndihmash e dashamirësie, vëmendje vigjilente e mirëkuptuese, përgjegjësi ndaj situatave të ndërlikuara që, nganjëherë, u shtohen problemeve të shumta ekzistuese si dhe burimeve, gjithnjë të kufizuara ekonomike”.

I nxit, prandaj, qeveritë, të kenë “virtytin e maturisë”, domethënë të marrin masa praktike për pranimin e këtyre njerëzve në gjirin e bashkësive të tyre,  të cilat duhet t’u sigurojnë të drejtat dhe zhvillimin në harmoni.

Duke cituar si Gjon Palin II, ashtu edhe Benediktin XVI, Françesku vëren se pas tragjedive të shekullit  të kaluar, i XXI nuk ka bërë ende ndonjë kthesë të  vërtetë: konfliktet e armatosura e format e tjera të dhunës së “organizuar” vijojnë të shkaktojnë zhvendosje popullsish brenda kufijve kombëtarë e përtej tyre. Por - shton Papa - emigrohet edhe për t’u bashkuar me familjen, për të gjetur mundësi pune ose shkollimi, për të ikur nga degradimi ambiental: “Kush nuk mund t’i gëzojë këto të drejta - nënvizon – nuk mund të jetojë në paqe”.

Shumica e atyre që lënë vendin e vet “emigron rregullisht”, pjesa tjetër, zgjedh rrugë të ndryshme, posaçërisht kur arrin thika në kockë, kur atdheu nuk të jep siguri, nuk të krijon asnjë mundësi e çdo rrugë ligjore duket e papraktikueshme, e bllokuar, tepër e ngathtë.

E megjithëkëtë, në shumë nga vendet e arritjes së emigrantëve - vijon Papa - përhapet gjerësisht një tip retorike, që i stërmadhon rreziqet për sigurinë kombëtare ose  barrën e rëndë të pritjes të të sapoardhurve, duke përbuzur, kështu, dinjitetin njerëzor. Ata që i fryjnë zjarrit të frikës nga emigrantët, “ndoshta edhe për qëllime politike”, në vend që të sigurojnë paqen, mbjellin “dhunën, diskriminimin racor e ksenofobinë”, burime  shqetësimesh të mëdha për të gjithë ata, që e kanë për zemër mbrojtjen e çdo njeriu.

“Urtia e fesë” - kujton Françesku - na nxit të kujtojmë se të gjithë bëjmë pjesë në të njëjtën familje njerëzore, duke na udhëhequr edhe në qytetet tona, në mënyrë që - “të ndara e të polarizuara” siç janë tani për shkak të konflikteve, të cilat kanë të bëjnë pikërisht me praninë e emigrantëve e të refugjatëve - të bëhen “kantiere të paqes”. Vetëm kështu të gjithë do ta zbulojnë se emigrantët nuk vijnë me duar bosh: sjellin me vete një barrë të rëndë guximi, aftësish, energjish e dëshirash”, përveç thesareve të kulturave të tyre. Kështu e pasurojnë jetën e kombeve, të cilat i mikpresin,  E mund të zbulojmë, njëkohësisht edhe aftësinë krijuese, ngulmin dhe shpirtin e flijimit të njerëzve, familjeve e bashkësive, që ua hapin portat e zemrat emigrantëve e refugjatëve, edhe atje, ku burimet ekonomike nuk janë edhe aq të begata.

Shikimi kundrues do të dijë t’i prijë - siguron Papa - shqyrtimit të atyre, që përgjigjen për pasurinë publike, në mënyrë që t’i nxisin politikat e mirëpritjes për t’i pasur parasysh kërkesat e të gjithë anëtarëve të familjes së vetme njerëzore, si dhe të mirën e secilit prej tyre. Françesku është i sigurt se kush frymëzohet nga ky shikim, do të jetë në gjendje t’i pranojë filizat e paqes, që mungullojnë, për t’u rritur e për të lulëzuar, pastaj.

Lidhur me procesin, i cili gjatë 2018-tës do t’i prijë OKB-së në përkufizimin dhe miratimin e dy pakteve globale - njëri për emigracionet e sigurta, të rregullta e të organizuara e tjetri lidhur me refugjatët - që do të përbëjnë një kuadër referimi për propozimet politike e masat praktike, Papa kujton kontributin e Seksionit për emigrantët e refugjatët të Dikasterit për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, që sugjeroi 20 pikat e aksionit, shenjë e interesimit dhe e veprimtarive të dukshme të Kishës katolike. E uron që këto marrëveshje të frymëzohen nga “mëshira, largpamja e guximi”, në mënyrë që të shfrytëzohet çdo rast i mundshëm  për ta çuar përpara sigurimin e paqes. Vetëm kështu - pohon - realizmi i nevojshëm i politikës ndërkombëtare nuk do të përfundojë në dorëzim përballë cinizmit dhe globalizimit të indiferencës. Sepse dialogu e koordinimi janë nevojë e detyrë, që i përket pikërisht bashkësisë ndërkombëtare, duke pasur parasysh  se vendet më pak të pasura mund të strehojnë një numër më të madh refugjatësh ose t’i presin më mirë, nëse bashkëpunimi ndërkombëtar u siguron fondet e nevojshme.

Mesazhi i Papës mban datën 13 nëntor, për shumë bashkësi, festa liturgjike e Shën Françeska Saverio Kabrinit, pajtore e emigrantëve,  sivjet në njëqindvjetorin e vdekjes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.