Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: Maria ndërmjet të Birit e njerëzve, në realitetin e vuajtjeve të tyre

Lutja e Engjëllit të Tënzot të Papës Françesku - AFP

01/01/2018 13:46

Virgjëra Mari na ndihmon të kuptojmë si duhet pritur Krishtlindja: jo me cektësi, por me zemër. Na tregon mënyrën e vërtetë për ta marrë dhuratën e Zotit: duke e ruajtur në zemër e duke e medituar. Ftesa i drejtohet secilit prej nesh: të lutemi, duke e kundruar e duke e shijuar këtë dhuratë, që është vetë Jezusi.

Këto, fjalët e Papës Françesku në këtë të hënë 2018, në lutjen e parë të Engjëllit të  Tënzot, të Vitit të Ri dhe solemnitetit liturgjik të së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit. “Përmes Marisë, Biri i Zotit mishërohet - nënvizoi Ati i Shenjtë - por amësia e Marisë nuk kufizohet vetëm në këtë drejtim”.

Dishepulle e parë e Krishtit

“Falë fesë së saj, ajo është edhe dishepulle e parë e Jezusit – shpjegoi Françesku - e kjo  e “zgjeron” kuptimin e amësisë së Virgjërës. Do të jetë feja e Marisë, që do t’i japë shtytjen shenjës së parë të mrekullueshme, e cila do të ngjallë fenë e dishepujve. Me të njëjtën fe - shtoi akoma - Maria  është e pranishme tek këmbët e kryqit e merr si bir Gjonin; e, së fundi, pas Ngjalljes, bëhet Nënë lutëse e Kishës, mbi të cilën zbret forca e Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshajëve.

Detyra e posaçme e Marisë

Duke i ftuar të gjithë t’i ngulin sytë mbi të “për të rinisur, nën mbrojtjen e saj amtare, udhën nëpër shtigjet e kohës, Papa vuri në dukje detyrën e posaçme të Nënës së Zotit: “Ajo vihet ndërmjet Birit të saj Jezus e njerëzve, në realitetin e  mungesave e të flijimeve të tyre, të varfërive e të vuajtjeve. Ndërmjetëson, e vetëdijshme se, si nënë, mundet, madje, duhet t’ia paraqesë Birit nevojat e njerëzve, posaçërisht të më të varfërve e më të mjeruarve. E pikërisht këtyre njerëzve u kushtohet edhe tema e Ditës Botërore të Paqes, që e kremtojmë sot: “Emigrantëve e refugjatëve: burra e gra në kërkim të paqes”. “Dëshiroj edhe një herë  të bëhem zë i këtyre vëllezërve e motrave tona, që kërkojnë horizonte paqeje për ardhmërinë e tyre” - pohoi Françesku. Për këtë paqe - shtoi - që është e drejtë e të gjithëve, shumë prej tyre janë gati të rrezikojnë edhe jetën në një shtegtim, në shumicën e rasteve, të gjatë e të rrezikshëm, që duhet përballuar me mundime e me vuajtje.

T’u sigurohet të gjithëve paqja

Me shpresë se në këtë vit të ri do të punohet bujarisht për të realizuar një botë më solidare e më mikpritëse, Papa ftoi të mos shuhet shpresa për ardhmërinë në paqe në zemër të këtyre vëllezërve tanë. “Ka rëndësi që të gjithë - saktësoi -  institucionet civile, realitetet edukative, asistenciale dhe kishtare, të impenjohen për t’u siguruar refugjatëve, emigrantëve, të gjithëve, një ardhmëri paqësore”. Duke ia besuar këtë vit të ri mbrojtjes së Nënës së Zotit, Françesku përfundoi me këto fjalë: “Zoti na dhashtë hirin të punojmë këtë vit të ri me bujari, për të realizuar një botë më solidare e më mikpritëse”.

Pas lutjes, falënderimi drejtuar Presidentit italian

Dëshiroj të falënderoj Presidentin e Republikës italiane për urimet që më bëri mbrëmë në Mesazhin e  tij  të fundvitit, të cilat ia kthej me gjithë zemër, duke uruar për popullin italian një vit me paqe e qetësi, të ndriçuar nga bekimi i përhershëm i Zotit.

Kështu Papa Françesku pas fjalëve të Engjëllit të Tënzot. E më pas vlerësoi lart nismat e shumta të lutjes e të veprimtarive për paqen, organizuar  në të katër anët e botës me rastin e Ditës së sotme Botërore të Paqes. Mendoj - shtoi - për marshimin kombëtar, zhvilluar “sotto il Monte”, organizuar nga CEI, Karitasi italian, Pax Christi e Veprimi katolik. E përshëndes edhe pjesëmarrësit në manifestimin “Paqe në të gjitha trojet”, organizuar, në Romë e në shumë vende, nga Bashkësia e Shën Egjidit.

01/01/2018 13:46